Botë

Cili Donald Trump do të negociojë me Putinin në Alaska?

Trump-Putin

Trumpi ka histori të gjatë të përpjekjeve për ta qetësuar udhëheqësin rus. Kur Rusia e pushtoi Ukrainën në vitin 2022, Trumpi ka refuzuar ta kritikonte drejtpërdrejt Putinin. Presidenti rus, i shmangur nga shumë presidentë, e lavdëroi Trumpin për punën e tij për t’i përmirësuar marrëdhëniet Rusi-SHBA. Kur Trumpi e mori përsëri detyrën në janar, ai u përpoq ta ringjallte ngrohtësinë midis dy udhëheqësve

Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, u takuan në Helsinki në vitin 2018, dyshja i alarmoi aleatët me një takim miqësor. Trumpi e pati mbajtur anën e udhëheqësit rus në lidhje me agjencitë e tij të inteligjencës për ndërhyrjen në zgjedhje.

Trumpi fluturon për një takim në Alaska me Putinin të premten, me një humor të ndryshëm publik – ka nisur ta humbë durimin me mungesën e gatishmërisë së rusit për ta negociuar fundin e luftës që e nisi në Ukrainë dhe i zemëruar për sulmet me raketa në qytetet ukrainase.

Bota po pret të shohë nëse do të jetë ky version më i ashpër i Trumpit që do të shfaqet në Anchorage, apo nëse do të jetë ish-manjati i pasurive të patundshme që është përpjekur ta fitojë pëlqimin e ish-agjentit dinak të KGB-së në të kaluarën.

Përgjigja mund të ketë implikime të thella për udhëheqësit evropianë të shqetësuar se Rusia, nëse lejohet të përvetësojë pjesë të Ukrainës, do të jetë më agresive ndaj aleatëve të NATO-s të cilët ndodhen më pranë Rusisë, si Polonia, Estonia, Lituania dhe Letonia.

Kjo ka edhe më shumë rëndësi për Ukrainën, e cila ka humbur terren ndaj forcave ruse pas tre vjetësh e gjysmë luftimesh të ashpra.

Pavarësisht tonit më të ashpër ndaj Putinit gjatë muajve të fundit, Trumpi ka histori më të gjerë të përpjekjeve për ta qetësuar udhëheqësin rus. Kur Rusia e pushtoi Ukrainën në vitin 2022, Trumpi refuzoi ta kritikonte drejtpërdrejt Putinin. Presidenti rus, i shmangur nga shumë presidentë, e lavdëroi Trumpin për punën e tij për t’i përmirësuar marrëdhëniet Rusi-SHBA.

Vëzhguesit e Kremlinit po kërkojnë të shohin nëse Trumpi do të magjepset përsëri nga Putini dhe do të ndikohet nga argumenti i tij se Rusia ka të drejtë ta dominojë Ukrainën.

“Është një shqetësim i arsyeshëm të mendosh se Trumpi do të mashtrohet nga Putini dhe do të arrijë një marrëveshje të tmerrshme në kurriz të Ukrainës”, ka thënë Dan Fried, diplomat që ka shërbyer për disa presidentë amerikanë. Tani ai vepron në kuadër të Këshillit të Atlantikut.

Por një rezultat i ndryshëm është gjithashtu i mundshëm, ka shtuar Fried.

“Ekziston një perspektivë e arsyeshme që administrata të kthjellet dhe ta kuptojë faktin se Putini ende po i mashtron”, është shprehur ai.

Administrata Trump është përpjekur t’i zbusë pritjet, teksa sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u ka thënë gazetarëve gjatë një konference për media të martën, se takimi do të jetë më shumë një “ushtrim dëgjimi” për presidentin amerikan.

Trumpi u ka thënë gazetarëve të mërkurën se ai mund ta ndërmjetësojë një takim të dytë që e përfshin si Putinin, ashtu edhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Kjo vetëm nëse samiti i Alaskës shkon mirë.

Rusia nuk e ka dhënë asnjë shenjë se është e përgatitur të bëjë lëshime mes shqetësimeve të Ukrainës se Trumpi mund ta arrijë një marrëveshje pa kontributin e tyre. Zelensky ka thënë se do të donte të shihte së pari një armëpushim të ndjekur nga garanci sigurie.

Ngrohtësi dhe ankesa

Kur Trumpi e mori përsëri detyrën në janar, presidenti republikan u përpoq t’i ringjallte raportet midis dy udhëheqësve nga mandati i tij i parë, duke shprehur simpati për pozicionin e izoluar të Putinit në botë dhe duke u zotuar ta përfundonte luftën në Ukrainë brenda 24 orësh.

Teksa administrata amerikane nisi ta lehtësonte presionin mbi Rusinë, disa ndihmës të Trumpit kanë përsëritur pikat e diskutimit rus, duke i zhgënjyer mbështetësit e Ukrainës. Në mars, i dërguari special i SHBA-së, Steve Witkoff, sugjeroi në një intervistë me komentatorin konservator Tucker Carlson se Rusia kishte të drejtë të pushtonte katër rajone kontinentale të Ukrainës - Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson, sepse, siç ka thënë, “ata flasin rusisht”.

Dhe në një takim dramatik në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, Trumpi dhe zëvendëspresidenti JD Vance e patën qortuar Zelenskyn për mënyrën se si e trajtoi luftën, duke nxitur kënaqësi te mbështetësit e vijës së ashpër në Rusi.

Pavarësisht të gjitha lehtësirave, udhëheqësi rus ka refuzuar të luajë me përpjekjet e Trumpit për t'i çuar të dy palët drejt një marrëveshjeje paqeje. Putini ka folur rregullisht me Trumpin, por i ka vazhduar sulmet vdekjeprurëse me bombardime kundër Ukrainës. Gjakderdhja e vazhdueshme e shtyu Trumpin të marrë një qëndrim më të ashpër në korrik dhe të ankohet se Putini po e zvarrit negocimin. Trumpi ka rënë dakord të dërgojë armë të reja në Ukrainë, për të cilat do të paguajë Evropa, dhe ka kërcënuar me penalitete të reja financiare për Moskën.

Trump javën e kaluar ka vendosur tarifë prej 25 për qind ndaj Indisë për blerjen e naftës ruse, duke bërë kështu presion indirekt mbi Moskën, por është përmbajtur nga zbatimi i kërcënimeve për të vendosur sanksione më të ashpra. Të mërkurën, ai ka kërcënuar me “pasoja të rënda” nëse Rusia nuk do të arrijë një marrëveshje.

“Teksa toni që del nga Shtëpia e Bardhë ka ndryshuar, ai ende nuk është pasuar me zgjerim të sanksioneve të SHBA-së. Afatet e Trumpit për sanksione shtesë vazhdojnë të shtyhen ose shtohen angazhime të reja financiare nga Washingtoni për ta forcuar sigurinë e Ukrainës”, ka thënë Nicolas Fenton i Programit për Evropë, Rusi dhe Euroazi në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare.

Të hënën, Trumpi ka thënë se duhet të dijë brenda dy minutash nëse Putini është i gatshëm të bëjë lëshime.

“Mund të them, shumë fat për ju. Vazhdoni të luftoni. Ose mund të them, mund të bëjmë një marrëveshje”, është shprehur Trumpi.

Joshja e marrëveshjes  

Për Trumpin, i cili tërhiqet nga spektakli i një samiti të profilit të lartë me botën që e shikon, joshja për të bërë një marrëveshje është e fortë.

Ai është angazhuar në një fushatë të hapur për çmimin “Nobel për Paqen” këtë vit, duke i vënë në dukje ato që i ka cilësuar si fitoret e tij diplomatike, dhe i ka shqetësuar aleatët e SHBA-së me padurimin për një marrëveshje paqeje në Ukrainë, për të cilën ata janë shqetësuar se mund ta trimërojë Putinin.

Ditët e fundit, udhëheqësit ukrainas dhe evropianë kanë protestuar kundër pohimit të Trumpit se Rusia dhe Ukraina do të duhet të angazhohen në shkëmbime territoresh për të arritur një marrëveshje paqeje.

Përderisa Rusia e pushton Krimenë dhe pjesë të mëdha të Ukrainës Lindore, ukrainasit nuk mbajnë më asnjë territor rus, duke e ngritur pyetjen se çfarë mund të shkëmbehet saktësisht.

Trumpi këmbëngul se, duke pasur parasysh marrëdhënien e tij personale me Putinin, ai është i vetmi që mund ta çojë luftën drejt fundit.

John Bolton, i cili ishte një nga këshilltarët e sigurisë kombëtare të Trumpit në mandatin e tij të parë dhe tani është një kritik i ashpër i tij, ka thënë se ishte i shqetësuar se Putini “ka nisur ta bënte magjinë e tij” mbi Trumpin.

“Marrëdhëniet personale pa dyshim që kanë një vend në punët e jashtme, ashtu siç kanë në çdo gjë tjetër. Por kur ke të bësh me një nga njerëzit e ashpër të botës, si Vladimir Putini, kjo nuk është çështje emocionesh. Kjo është çështje llogaritjesh të ftohta. Trumpi nuk e kupton këtë pikë”, ka thënë Bolton.

Në një postim në rrjetet sociale të mërkurën, Trumpi është ankuar se “media shumë të padrejta po punojnë për takimin me Putinin”, duke e përmendur përdorimin e citimeve nga “dështakë të pushuar nga puna” si Boltoni.