Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Shkëlqimi i Drilon Hajrizit në momentet vendimtare

Drilon Hajrizi

Në çerekun e parë dhe të dytë, Drilon Hajrizi nuk e shënoi asnjë pikë. Në të tretin i realizoi pesë pikë, ndërsa shpërtheu në çerekun e katërt, kur më së shumti i duhej Trepçës. Hajrizi në çerekun e katërt i shënoi 13 pikë, ndërsa ndeshjen e mbylli me 18 pikë në total, sa kishte edhe Andrew Thelwell.
Trepça e fitoi të mërkurën mbrëma ndeshjen kundër Splitit në “FIBA Europe Cup”.

Kampionia e Kosovës e mposhti Splitin e Kroacisë në “Minatorin” e zjarrtë me rezultatin 94:88.

Njëri nga basketbollistët më të mirë në vend, Hajrizi, i shtoi edhe dy kërcime e dy asistime ndaj klubit kroat.

“Kemi filluar jo mirë. Por kemi intervenuar shumë shpejt brenda skuadrës në disa pika të cilat neve na kanë munguar. Ato pika dolën të jenë të frytshme dhe pozitive. Punën që jemi duke e bërë maksimalisht, serioziteti që jemi duke e treguar, të gjitha këto kur grumbullohen, na japin një fryt shumë të mirë që shpresoj deri në fund të vazhdojmë me këtë ritëm dhe t’i shpërblejmë gjithë qytetarët e Mitrovicës, pse jo edhe të gjithë Kosovës që kanë dëshirë të na shohin me rezultate pozitive në arenën ndërkombëtare”, ka theksuar Hajrizi të enjten për KOHËN. 

Që në nisje të dhjetë minutëshit të fundit, Hajrizi shënoi për tri pikë për 70:69. Për tri pikë shënoi edhe për 75:74. Sërish e kaloi në epërsi skuadrën e tij me saktësi prej gjuajtjeve të lira për 77:76. Trepikësh shënoi edhe për 82:76, e 1 minutë e 34 sekonda para fundit, dypikësh shënoi për 90:88. Nga dy pikë deri në fund të ballafaqimit shënuan edhe Mikaile Tmushiq dhe Thelwell për triumfin shumë të rëndësishëm. 

Fitorja e mban Trepçën në pozitën e dytë të Grupit A të “FIBA Europe Cup” me 11 pikë. Nga 11 pikë, me katër fitore e tri disfata janë edhe Patrasi grek dhe Spliti kroat. Lider është Trieri i Gjermanisë me 14 pikë, me shtatë fitore nga po aq ndeshje të luajtura. 

Trepça nuk e kishte nisjen e mirë në këtë garë, por tani ka hyrë fuqishëm në garë për të avancuar nga pozita e dytë në raundin e dytë. Vetëm dy pozitat e para të tetë grupeve sa janë gjithsej e sigurojnë kalimin në raundin tjetër. 

Për nisjen jo të mirë është i vetëdijshëm edhe Hajrizi. Por ai ka thënë se bashkëlojtarët dhe stafi i trajnerëve kanë përmirësuar shpejt telashet që kishin. 

Tri ndeshjet e fundit në Evropë në fazën grupore për Trepçën do të jenë ndaj Opavas së Çekisë në udhëtim, dhe ndaj Batumit të Gjeorgjisë dhe Trierit gjerman, në shtëpi. 

Fakti që Trepça dy prej tri ndeshjeve i luan para tifozëve të vet, i jep shpresë të madhe Hajrizit për avancim tutje. 

“Punën më të madhe e kemi kryer. Deri tash ia kemi dalë shumë mirë. Shpresoj shumë që edhe lojtarët do të qëndrojnë stoik, të qëndrueshëm edhe për këto pak javë që na kanë mbetur për luftë në të dy frontet. E di që është shumë e vështirë, por duke e marrë parasysh që prej tri ndeshjeve, dy i kemi si vendës, një si mysafir, besoj shumë që do t’ia dalim. Ne duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm, me të njëjtat fitore, që të mos ia lëmë fatit në dorë, por të vazhdojmë me përkushtim, angazhim, t’i kryejmë detyrat tona”, ka theksuar Hajrizi. 

Trepça ngecje në rezultate pati edhe në fillim të sezonit në Superligën e Kosovës. 

Pasi kampionia e mposhti Rahovecin 029 në xhiron e parë, pësoi humbje rresht nga Peja në xhiron e dytë dhe nga Bashkimi në xhiron e tretë. 

Ndeshja me Bashkimin ishte më 3 tetor. Prej asaj kohe në elitën e basketbollit kosovar, Trepça ka regjistruar gjashtë fitore rresht.

Në fundjavë do të përballet me Bashkimin. Ndeshja ndaj nënkampionit, që e fitoi Superkupën e Kosovës pikërisht ndaj Trepçës, luhet në “Minatori” të dielën prej orës 17:00. 

Hajrizi ka thënë se fokusi do të mbetet që lufta të jetë në të dyja frontet, si në Superligë ashtu edhe në “FIBA Europe Cup”. 

“Ndeshjet si vendës janë të rëndësishme sepse Mitrovica është pika kryesore, sepse i gjithë qyteti frymon me basketbollin. Normalisht që është një pikë ndoshta shumë e fortë për ne. Kështu që ne presim të dielën kundër Bashkimit ta kemi një numër më masovik në palestër që të kemi lojë të mirë basketbolli”, deklaroi Hajrizi. 

Trepça në Superligë ka garë të barabartë deri tani me Bashkimin dhe Borën. Bashkimi i pari, Trepça e dyta dhe Bora e treta, kanë nga 16 pikë, me nga shtatë fitore e dy disfata.