Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer i është bashkuar një videothirrjeje me udhëheqësit e Katarit, Jordanisë, Egjiptit, Francës dhe Kanadasë të hënën, teksa Izraeli ka nisur ofensivën e re tokësore në Gazë, të paralajmëruar javë më parë .
Gjatë telefonatës ata kanë diskutuar për "sulmin e papranueshëm" të Izraelit ndaj udhëheqësve të Hamasit në Doha javën e kaluar dhe kanë rënë dakord të "dyfishojnë përpjekjet e tyre" për t'i dhënë fund ciklit të dhunës në rajon”.
"Kryeministri duartrokiti rolin jetësor ndërmjetësues të Katarit", ka njoftuar Downing Street, duke shtuar se Mbretëria e Bashkuar është e gatshme të mbështesë këto përpjekje.
Udhëheqësit diskutuan "situatën e tmerrshme në Gazë" dhe janë pajtuar se Izraeli duhet të ndalojë ofensivën e tij tokësore dhe të lejojë menjëherë një rritje të ndihmës humanitare.
“Kjo është e vetmja mënyrë për të bërë përparim drejt një armëpushimi dhe për të siguruar lirimin e pengjeve", kanë shtuar ata.
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së do të mblidhet më vonë këtë muaj, kur Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Kanadaja kanë thënë se do të njohin një shtet palestinez.
