Botë

Britania pezullon bisedimet tregtare me Izraelin për shkak të ofensivës në Gazë

Keir Starmer

Foto: Associated Press

Mbretëria e Bashkuar ka pezulluar të martën bisedimet tregtare me Izraelin dhe ka thirrur ambasadorin izraelit për atë që e quan ofensivë "të patolerueshme" në Gazë.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se vendi i tij është "i tmerruar nga përshkallëzimi nga Izraeli”, ndërsa sekretari i Jashtëm, David Lammy, ka thënë se lufta po hyn në një "fazë të re të errët”, raporton BBC.

Më herët të martën, OKB-ja ka thënë se Izraeli ka dhënë leje që rreth 100 kamionë ndihma të hynin në Gazë pas 11 javësh bllokim të të gjithë ndihmave.

Të hënën, Izraeli la lejuar pesë kamionë të kalonin kufirin, gjë të cilën shefi humanitar i OKB-së, Tom Fletcher, e ka quajtur "një pikë në oqean".

Fletcher ka thënë gjithashtu se 14,000 foshnja mund të vdesin në Gazë në 48 orët e ardhshme nëse nuk arrin më shumë ndihmë.

Ndërkohë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se "lufta mund të përfundojë nesër" nëse Hamasi liron pengjet e tij dhe hedh armët. 58 pengje mbeten në Gaza, deri në 23 prej të cilëve besohet se janë ende gjallë.

Izraeli i përgjigjet Britanisë, thotë se presioni i jashtëm nuk ia ndryshon rrugën

3 o. më parë / 20 maj 2025 17:33
Gaza

Photo: Associated Press

Shteti izraelit thotë se “presioni i jashtëm nuk do ta ndryshojë kursin e tij”, pasi Britania e Madhe ka vendosur t’i pezullojë bisedimet tregtare me këtë shtet për shkak të ofensivës në Gazë.

Britania po ashtu ka vendosur të martën që të vendos sanksione të reja ndaj kolonëve në Bregun Perëndimor të pushtuar.

“Nëse, për shkak të obsesionit anti-izraelit dhe konsideratave të brendshme politike, qeveria britanike është e gatshme të dëmtojë ekonominë britanike, kjo është e drejta e saj”, ka thënë në një deklaratë zëdhënësi i ministrisë së Jashtme izraelite, Oren Marmorstein, sipas Agence France-Presse (AFP).

“Presioni i jashtëm nuk do ta devijojë Izraelin nga rruga e tij në mbrojtjen e ekzistencës dhe sigurisë së tij kundër armiqve që kërkojnë shkatërrimin e tij”, thuhet më tej në deklaratë. 

Izraeli ka zgjeruar ofensivën e tij ushtarake në Gazë, duke shkuar edhe në qytetin më jugor, dhe të dytin më të madh të rripit, Khan Younis.

Ndërkohë, shteti izraelit një ditë më parë ka vendosur të lejojë hyrjen e ushqimit bazë në Gazë, pas presionit nga aleatët.

OKB-ja ka thënë se ndihma që po lejohet të hyjë është “sa një pikë në oqean”. Organizata ka paralajmëruar për përhapjen e urisë, duke thënë se shumë foshnja mund të vdesin në 48 orët e ardhshme si pasojë e urisë.