Botë

Starmer kërkon hapa të menjëhershëm për ndaljen e katastrofës humanitare në Gaza

Keir Starmer

Kryeministri i  Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se vuajtjet dhe uria në Gaza janë të papërshkrueshme dhe të paarsyeshme.

Ai në një deklaratë ka thënë se situata po vazhdon të rëndohet dhe po shkaktohet katastrofë humanitare.

“Do të zhvilloj një thirrje urgjente me Francën, Gjermaninë dhe Italinë nesër, ku do të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë me shpejtë për të ndaluar vrasjet dhe për t’i siguruar njerëzve ushqimin që kanë shumë nevojë. Të gjithë jemi të dakord mbi nevojën urgjente që Izraeli të ndryshojë kurs dhe të lejojë ndihmën që është shumë e nevojshme të hyjë në Gaza pa vonesa’, ka deklaruar ai.

Ka thënë se është e vështirë të shohësh një të ardhme me shpresë në këto kohë të errëta.

“Por duhet të përsëris thirrjen time për të gjitha palët që të angazhohen me besim të mirë dhe me qetësi për të sjellë një armëpushim të menjëhershëm dhe që Hamasi të lirojë pa kushte të gjithë ata që ka marrë peng. Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit për të siguruar këtë. Jemi të qartë që shtetësia është e drejta e pacënueshme e popullit palestinez. Një armëpushim do të na vendosë në rrugën drejt njohjes së një shteti palestinez dhe një zgjidhjeje me dy shtete që garanton paqe dhe siguri për palestinezët dhe izraelitët”, ka thënë ai.