Botë

Trumpi thotë se ka krizë urie në Gazë

Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka deklaruar se uria në Gaza është e vërtetë. Ai ka thënë se SHBA-ja do të hapë qendra për ushqim në territorin e Gazës.

Ai në takim me kryeministrin e Britanisë së Madhe, Keir Starmer, ka thënë se “Duam që fëmijët të ushqehen”, duke e përshkruar situatën në Gaza si të tmerrshme dhe duke shtuar se “duhet t’i ndihmojnë qendrat humanitare”.

Të merresh me Hamasin “është e vështirë”, ka thënë ai, duke shtuar se kanë ende pengje dhe është e vështirë të bësh marrëveshje sepse grupi i përdor si “mburojë” dhe nëse i dorëzojnë, nuk kanë më mbrojtje.

Ai ka thënë se bashkë me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu do të dalin me plane të reja.

“Ne do të dërgojmë ushqim në qendrat humanitare ku njerëzit mund ta arrijnë”, ka thënë ai duke shtuar se është  e “çmendur” se njerëzit mund të shohin ushqimin, por nuk mund ta arrijnë.

Kryeministri Keir Starmer thotë se Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA-të mund të bëjnë “çmos” për të lehtësuar situatën në Gaza.

Duke folur përpara takimit, Starmer falënderoi Trump për punën e tij mbi këtë çështje dhe shtoi: “Mendoj se nëse mund të punojmë jo vetëm për çështjet urgjente të armëpushimit, por edhe për këtë çështje të dërgimit të ndihmës humanitare në sasi të mëdha, me shpejtësi, dhe pastaj kemi diskutuar një plan për atë që ndodh më pas, mendoj se mund të bëjmë çmos për të lehtësuar këto situata”.

Starmer u tha gjithashtu gazetarëve se situata në terren në Gaza është “e patolerueshme” dhe imazhet e fëmijëve të uritur kanë qenë “të neveritshme” dhe ekziston një “ndjesi neverie në publikun britanik për atë që po shohin”.