Botë

Lavrov sugjeron se Stambolli mund të jetë vendtakimi për rundin e dytë të bisedimeve Rusi-Ukrainë

Lavrov-Fidan

Foto: Associated Press

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergey Lavrov, ka thënë të martën se qyteti i Stambollit mund të jetë vendtakim për rundin e dytë të negociatave direkte mes Moskës dhe Kievit, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për luftën në Ukrainë, ka raportuar agjencia e lajmeve Anadolu.

“Sa i përket rundit të dytë të negociatave ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, nëse më pyesni mua, përsëri do t’iu besoja miqve turq. Stambolli është shumë i mirë”, ka thënë Lavrov gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me homologun e tij turk Hakan Fidan, në Moskë.

Turqia luajti rol ndërmjetësues në negociatat e para mes Rusisë dhe Ukrainës që prej fillimit të luftës në vitin 2022, që u zhvilluan më datë 16 maj në qytetin e Stambollit, ku të dyja palët u pajtuan për shkëmbimin e rreth 1000 të burgosurve të luftës nga secila anë dhe për të vazhduar bisedimet e armëpushimit.

Homologët u takuan në ditën e dytë të vizitës së Fidanit në Moskë, pas takimeve të tij të një dite më parë me liderin e delegacionit rus në negociatat me Ukrainën, Vladimir Medinsky, dhe po ashtu me presidentin rus, Vladimir Putin.

Në kuadër të konferencës, kryediplomati turk ka shprehur gatishmërinë e vendit të tij për bisedime dhe kumtoi mbështetjen e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan për procesin e paqes.

Lexo përditësimet tjera
Putini dhe Fidani

Putini dhe Fidani diskutojnë rreth përpjekjeve të paqes në Ukrainë

Presidenti rus, Vladimir Putin, dhe ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, kanë diskutuar rreth përpjekjeve për...