Botë

Rundi i tretë negociator mes Ukrainës e Rusisë përfundon pa ndonjë sukses të madh

Rusi-Ukrainë

Foto: Associated Press

Rusia dhe Ukraina diskutuan të mërkurën për shkëmbime të tjera mes të burgosurve të luftës gjatë bisedimeve të shkurtra për paqen në Stamboll, por palët mbeten ende larg dakordimit për armëpushim dhe një takimi të mundshëm mes udhëheqësve të tyre.

Kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, ka bërë të ditur se i vetmi përparim i arritur në rundin e tretë është në kuadrin humanitar, porse ka shtuar se prioriteti kyç për Kievin mbetet armëpushimi i mirëfilltë që i ndalon sulmet mbi infrastrukturën civile.

Krahas kësaj, ai ka theksuar kërkesën tjetër për takim të nivelit të lartë ndërmjet presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, para fundit të muajit gusht, ka raportuar The Guardian.

“Ukraina vazhdon të këmbëngulë për një armëpushim të plotë dhe pa kushte si bazë të domosdoshme për diplomaci efektive. Ne jemi të gatshëm për një marrëveshje të armëpushimit dhe për të filluar negociata të mirëfillta për paqen. Tani u takon palëve të tjera ta pranojnë këtë hap themelor drejt paqes”, ka thënë Umerov.

E delegati kryesor i Rusisë, Vladimir Medinsky, ka riafirmuar thirrjet e Moskës për një sërë armëpushimesh të shkurtra prej 24 deri në 48 orë, që sipas tij do të mundësojnë tërheqjen e trupave të ushtarëve të rënë në fushëbetejë. 

Ai ka thënë ndër të tjera se qëllimi themelor i takimit në nivel liderësh duhet të jetë nënshkrimi i marrëveshjes përfundimtare, dhe jo rikthimi i procesit në pikën zero.

“Që një takim i tillë të ndodhë, është e nevojshme që kushtet e marrëveshjes të përgatiten paraprakisht, të jetë e qartë se për çfarë do të diskutohet në atë takim, dhe në fakt, në atë takim nuk duhet të diskutohet marrëveshja, por të vihet nënshkrimi përfundimtar. Siç themi ne, fundi e kurorëzon punën. Një takim për të diskutuar të gjitha këto nga e para, nuk ka asnjë kuptim”, është shprehur Medinsky.

Para bisedimeve, Moska zyrtare kishte ulur pritshmëritë, duke i përshkruar pozicionet e të dyja palëve si diametralisht të kundërta dhe duke thënë se askush nuk duhet të presë mrekulli.

Me një kohëzgjatje prej vetëm 40 minutash, takimi ishte edhe më i shkurtër se dy rundet e mëparshme të bisedimeve, respektivisht më datat 16 maj dhe 2 qershor, të cilat zgjatën më pak se tre orë.
Dy rundet e kaluara u mbajtën gjithashtu në Stamboll dhe prodhuan hiq më pak se një sërë shkëmbimesh mes të burgosurve të luftës dhe trupave të ushtarëve të rënë.

Putini ka hedhur poshtë ofertat paraprake të Zelenskyt për takim ballë për ballë, si mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. 

Por, lideri ukrainas ka këmbëngulur se delegacionet e nivelit të ulët, si ato që morën pjesë në bisedimet e së mërkurës në Stamboll, nuk e kanë peshën e duhur politike për t’i ndalur luftimet.

Palët mbeten thellësisht të ndara për mënyrën se si duhet t’i jepet fund luftës së nisur nga pushtimi në shkallë të plotë i Rusisë në Ukrainë në shkurt të 2022-tës.

Zyrtarët ukrainas dhe perëndimorë e kanë akuzuar Moskën se po i zvarrit bisedimet, me qëllimin për t’i dhënë më shumë kohë ushtrisë që të pushtojë territore ukrainase. 

Aktualisht, Rusia kontrollon rreth 20 për qind të territorit të Ukrainës.

Bisedimet e së mërkurës u zhvilluan pak më shumë se një javë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, e kishte kërcënuar si Rusinë ashtu dhe vendet që blejnë eksportet e saj me tarifa të ashpra, në rast se s’arrihet një marrëveshje e paqes brenda 50 ditëve.

Kohëve të fundit, Trumpi e ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj Moskës pasi është shprehur i zhgënjyer me Putinin, për shkak të mosgatishmërisë së këtij të fundit për të ndalur luftimet.