Botë

Rusia nuk jep shenja për afrim të paqes në Ukrainë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të dielën se Rusia preferon mjetet diplomatike dhe paqësore për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, porse Kievi zyrtar dhe shtetet perëndimore e refuzojnë këtë rrugë, ka shkruar Reuters.

“Rruga jonë e preferuar për ta zgjidhur konfliktin është nëpërmjet mjeteve politike e diplomatike”, ka deklaruar Peskov, bazuar në raportimin e agjencisë ruse të lajmeve TASS.

Ai ka shtuar më tutje, pa ofruar ndonjë provë konkrete, se Kremlini po e vazhdon operacionin e tij special ushtarak në Ukrainë sepse “të gjitha propozimet për dialog janë refuzuar, si nga Ukraina ashtu dhe shtetet perëndimore”.

Rusia dhe Ukraina diskutuan javën e kaluar për shkëmbime të tjera mes të burgosurve të luftës gjatë bisedimeve të shkurtra për paqen në Stamboll, mirëpo palët mbeten ende larg dakordimit për armëpushim dhe një takimi të mundshëm mes udhëheqësve të tyre.

Para bisedimeve, Kremlini zyrtar kishte ulur pritshmëritë, duke i përshkruar pozicionet e të dyja palëve si diametralisht të kundërta dhe duke thënë se askush nuk duhet të presë mrekulli.

Me një kohëzgjatje prej vetëm 40 minutash, takimi ishte edhe më i shkurtër se dy rundet e mëparshme të bisedimeve, respektivisht më datat 16 maj dhe 2 qershor, të cilat zgjatën më pak se tri orë.

Dy rundet e kaluara u mbajtën gjithashtu në Stamboll dhe prodhuan hiç më pak se një sërë shkëmbimesh mes të burgosurve të luftës dhe riatdhesimin e ushtarëve të vrarë.

Presidenti rus, Vladimir Putin ka hedhur poshtë ofertat paraprake të homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, për takim ballë për ballë, si mënyrë për t’i dhënë fund konfliktit më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore.