Bisedimet e para të drejtpërdrejta për paqe mes Rusisë e Ukrainës, të zhvilluara në Stamboll të Turqisë, janë përmbyllur pa shenja përparimi. Delegacioni rus ka kërkuar që Ukraina, në këmbim të armëpushimit, t’i tërheqë trupat nga rajonet ukrainase të cilat i ka aneksuar shteti i Vladimir Putinit. Por këtë kërkesë ruse, një burim diplomatik ukrainas e ka kualifikuar si “të shkëputur nga realiteti”

Bisedimet e para direkte Rusi-Ukrainë, që nga javët e para të nisjes së luftës në vitin 2022, kanë përfunduar për vetëm dy orë dhe përderisa palët u pajtuan për shkëmbim masiv të të burgosurve të luftës, mbeten larg dakordimit për t’i dhënë fund luftës.

Kushti i Ukrainës, i mbështetur nga aleatët perëndimorë, është armëpushimi i përkohshëm si hap i parë drejt arritjes së paqes. Kremlini ka dalë me kushte për të pamundësuar këtë.

“Nuk kemi marrë një ‘po’ nga Rusia në këtë pikë bazë”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Ukrainës, Heorhii Tykhii, pas bisedimeve. “Nëse doni negociata serioze, duhet t’i heshtni armët”.

Por udhëheqësi i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, ka thënë se në përgjithësi “është i kënaqur me rezultatin”, duke shtuar se Moska është e gatshme t’i vazhdojë kontaktet. 

Në Stamboll u arrit vetëm dakordimi që të shkëmbehen nga 1.000 të burgosur të luftës, siç kanë bërë të ditur të dyja delegacionet, në atë që do të jetë shkëmbimi më i madh i të burgosurve deri tash. Të dyja palët kanë diskutuar për një armëpushim dhe një takim të liderëve të shteteve, sipas udhëheqësit të delegacionit ukrainas, ministrit të Mbrojtjes, Rustem Umerov.

Medinsky, këshilltar i presidentit rus Vladimir Putin, ka thënë se të dyja palët janë pajtuar që t’ia ofrojnë njëra-tjetrës detajet për propozim të armëpushimit. E sipas tij, kërkesën e Ukrainës për takim midis udhëheqësve të shteteve, Rusia e ka marrë në konsideratë.

“Presioni mbi Federatën Ruse duhet të vazhdojë”, ka thënë Serhii Kyslytsia, zëvendësministër i Punëve të Jashtme i Ukrainës, dhe pjesë e delegacionit. “Nuk duhet të ndalemi aspak në këtë pikë”.

Gjatë bisedimeve, një zyrtar i lartë ukrainas ka thënë se Rusia ka nxjerrë “kërkesa të papranueshme” që Ukraina të tërheqë forcat nga rajonet ukrainase të cilat i ka aneksuar shteti i Putinit. Ky zyrtar ka thënë në kushte anonimiteti për “Associated Press” se propozimi nuk ishte diskutuar në të kaluarën. 

Delegacioni rus ka thënë se është i fokusuar që të arrijë përparim të vërtetë – armëpushim të menjëhershëm dhe rrugë diplomatike – “siç kanë propozuar SHBA-ja, partnerët evropianë dhe shtetet e tjera”, ka thënë ky zyrtar. 

Zëdhënësi i MPJ-së ukrainase ka konfirmuar se delegacioni rus “ka ngritur një seri çështjesh që janë të papranueshme”. “Kjo është diçka që rusët zakonisht e bëjnë dhe ne po i përmbahemi vijës sonë”.

Të dyja palët u ulën përballë njëra-tjetrës në një tavolinë të formës U në Pallatin “Dolmabahçe”, por mbetën larg në kushtet e tyre për t’i dhënë fund luftës. Trumpi, që ka nxitur presionin për t’i dhënë fund konfliktit, ka thënë se do të mund ta takonte Putinin “sapo që të jetë e mundur”.

“Mendoj se është koha që ta bëjmë”, u ka thënë Trumpi gazetarëve në Abu Dhabi gjatë vizitës në Lindjen e Mesme.

E ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, i ka hapur bisedimet duke u thënë pjesëmarrësve “që ta shfrytëzojnë mundësinë”, duke shtuar se “është e rëndësisë kritike që armëpushimi të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundshme”.

Në një postim në rrjete sociale, Fidani e ka quajtur shkëmbimin e të burgosurve të luftës si “masë për ndërtimin e besimit” dhe ka thënë se palët janë dakorduar në parim për ritakim.

Takimit të së premtes i kanë paraprirë disa manovra diplomatike. Një ditë më parë, Putini iu shmang propozimit të Zelenskyt për takim ballë për ballë në Turqi. Ukraina akuzoi Rusinë se s’po përpiqet që t’i japë fund luftës duke dërguar delegacion të nivelit të ulët.

Ukraina e ka pranuar një propozim amerikano-evropian për armëpushim 30-ditor, por Putini e ka refuzuar duke shtuar kushte.

Tek ka komentuar një takim të mundshëm Trump-Putin, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se po ndërtohet momentumi për një samit të tillë. Ai ka shtuar se diskutime në nivel të lartë “patjetër që kërkohen”, por ka shtuar se kjo kërkon kohë.

Gjatë ditës së diskutimeve, Rusia megjithatë ka vazhduar përgatitjet për ofensivë të re ushtarake, kanë paralajmëruar qeveria ukrainase dhe ekspertë ushtarakë perëndimorë.

Rusia “e kënaqur” me takimin në Stamboll

1 muaj më parë / 16 maj 2025 18:09
Vladimir Medinsky

Photo: Associated Press

Shefi i delegacionit rus në takimin me Ukrainën në Stamboll, Vladimir Medinsky, ka thënë se pala ruse “ishte në përgjithësi e kënaqur” me takimin, sipas agjencisë turke të lajmeve, Anadolu.

Sipas tij, të dyja palët kanë paraqitur vizionin e tyre për një armëpushim. Ai ka thënë se pas kësaj bisedimet mund të vazhdojnë.

Ai ka shtuar se Moska “ka marrë shënime” nga kërkesa e Ukrainës që presidenti Volodymyr Zelensky ta takojë presidentin rus Vladimir Putin.

E bisedimet e para të drejtpërdrejta të paqes ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës pas më shumë se tre vjetësh zgjatën më pak se dy orë dhe nuk pati shenja përparimi. Është arritur vetëm një dakordim për shkëmbim të burgosurish.

Delegacioni ukrainas: Hapi i ardhshëm duhet të jetë takimi Zelensky-Putin

1 muaj më parë / 16 maj 2025 17:51
Rustem Umerov

Photo: Associated Press

Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov, ka thënë se një takim mes presidentëve të Ukrainës Volodymyr Zelensky dhe atij të Rusisë, Vladimir Putin, duhet të jetë hapi i ardhshëm në negociatat për paqe mes dy shteteve.

Pas takimit në Stamboll, Umerov ka thënë se pika e parë e diskutimit ka qenë për njerëzit, tek e ka quajtur arritje të rëndësishme marrëveshjen për këmbim të të burgosurve.

Qëllimi i dytë sipas tij ka qenë që të diskutohet për arritjen e armëpushimit dhe se sipas tij ekipet do të punojnë në detajet.

Ministri i Mbrojtjes ka thënë se qëllimi i tretë i shtetit të tij ka qenë mbajtja e një diskutimi në nivel të lartë. Sipas tij, hap i ardhshëm duhet të jetë takimi Putin-Zelensky.

Zelensky dhe liderët evropianë flasin me Trumpin pas bisedimeve Ukrainë - Rusi

1 muaj më parë / 16 maj 2025 17:00
Zelensky

Volodymyr Zelensky të premten konfirmoi se ka folur me presidentin amerikan Donald Trump bashkë me Emmanuel Macronin, Friedrich Merzin, Keir Starmerin dhe Donald Tuskun nga Tirana.

“Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë. Qëndrimi ynë - nëse rusët refuzojnë armëpushim të plotë, pa kushte dhe fund të vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra. Presioni mbi Rusinë duhet të mbahet derisa Rusia të jetë gati të përfundojë luftën. Faleminderit të gjithëve në botë që po ndihmojnë”, ka shkruar presidenti ukrainas teksa ka njoftuar për telefonatën me Trumpin.

Përfundojnë bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll

1 muaj më parë / 16 maj 2025 14:31
Ukriana

Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë e ka informuar agjencinë e lajmeve Reuters se bisedimet mes delegacionit të Ukrainës dhe atij të Rusisë sapo kanë përfunduar.

Këto ishin bisedimet e para direkte që nga viti 2022, pak pasi Rusia kishte filluar pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës.

Më herët, Reuters raportoi se diplomatët ukrainas i kanë thënë agjencisë se kërkesat e Rusisë janë jorealiste dhe shkojë larg prej asaj që është diskutuar më herët.  

Kremlini: Takimi Trump-Putin është i domosdoshëm, por duhet të prodhojë rezultate kur të ndodhë

1 muaj më parë / 16 maj 2025 13:26
Dmitry Peskov

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të premten se një takim mes presidentit rus, Vladimir Putin, dhe presidentit amerikan, Donald Trump, është thelbësor, porse nevojiten përgatitje paraprake, si dhe duhet të prodhojë rezultate kur të ndodhë, ka raportuar Reuters.

Tek i është përgjigjur komenteve të presidentit amerikan, i cili pati thënë gjatë ditës së premte se do të takohej me Putinin “sa më shpejtë të jetë e mundur”, Peskov ka deklaruar se s’ka dyshim që një takim ndërmjet dy liderëve është i rëndësishëm për kontekstin e çështjes ukrainase.

“Një takim i tillë është natyrisht i nevojshëm. Është i nevojshëm si nga pikëpamja e marrëdhënieve dypalëshe Rusi-SHBA, ashtu edhe nga pikëpamja e zhvillimit të një bisedimi në nivelin më të lartë mbi çështjet ndërkombëtare dhe problemet rajonale, përfshirë, natyrisht, krizën në Ukrainë”, ka thënë Peskov.

Duke i komentuar bisedimet që po zhvillohen në Stamboll, zëdhënësi i Kremlinit ka shtuar se ekipi rus është në kontakt të vazhdueshëm me presidentin Putin.

Rusia e Ukraina takohen kokë më kokë për herë të parë që nga viti 2022

1 muaj më parë / 16 maj 2025 12:52
Rusia e Ukraina takohen kokë më kokë për herë të parë që nga viti 2022

Photo: Associated Press

Delegacionet nga Rusia dhe Ukraina janë takuar në Stamboll për bisedimet e para direkte midis dy vendeve që nga viti 2022, kur procesi i paqes u ndërpre asokohe vetëm disa javë pas nisjes së pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, është cituar nga agjencia e lajmeve Reuters duke hapur takimin, tek ka thënë se ishte i lumtur që vullneti i dy palëve kishte hapur një mundësi të re për paqe.

“Ka dy shtigje sot: Një dërgon në paqe, dhe tjetri do të shkaktojë më shumë shkatërrim dhe humbje jete. Të dyja palët do të zgjedhin se cilin rrugë do të ndjekin”, u ka thënë Fidan delegacioneve negociuese.

"Ne kemi një mundësi për të përfunduar luftën... për të ndjekur rrugën e paqes, duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi. Çdo ditë që kalon, humbasin më shumë jetë. Ndërkohë që kjo luftë po merr jetë, është kritike që një armëpushim të ndodhë sa më shpejt të jetë e mundur”, ka deklaruar kryediplomati turk.

Takimi në Stamboll duhet të “përgatisë terrenin për një takim midis liderëve”, ka shtuar Fidan, duke iu referuar vendimit të presidentit rus Vladimir Putin për të mos marrë pjesë në bisedime.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy ishte shprehur më parë se ai do të ishte i gatshëm të takohej me Putinin, duke besuar se vetëm një takim me presidentin rus mund të sigurojë përfundimin e luftës.

Shefi i zyrës së presidentit Zelensky, Andriy Yermak, ka shkruar në rrjetin social Telegram se Ukraina synon të sigurojë një armëpushim të plotë e pa kushte gjatë bisedimeve të sotme.

“Delegacioni ukrainas është në Stamboll sot për të arritur një armëpushim pa kushte - ky është prioriteti ynë”, ka thënë ai në Telegram.

Fillon takimi i parë mes delegacionit të SHBA-së, Ukrainës dhe Turqisë

1 muaj më parë / 16 maj 2025 10:36
Takimi

Pamje nga takimi

Photo: Associated Press

Takimi trepalësh ndërmjet delegacionit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ukrainës dhe Turqisë sapo ka filluar në Pallatin Dolmabahçe, në Stamboll, raporton BBC.

Ekipi ukrainas përbëhet nga ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, ministri i Jashtëm, Andriy Sybiha, si dhe shefi i zyrës së presidentit ukrainas, Andriy Yermak. 

Pjesë e takimit është edhe kryediplomati turk, Hakan Fidan. 

E delegacioni amerikan përfshin sekretarin e Shtetit, Marco Rubio, ambasadorin e sapoemëruar në Turqi, Tom Barrack, dhe të dërguarin e SHBA-së për Ukrainën, Keith Kellogg, i cili ka paralajmëruar së fundmi se Washingtoni dhe Evropa mund të vendosin sanksione më të rrepta ndaj Rusisë nëse ajo nuk bie dakord për një armëpushim. 

Më vonë gjatë ditës, pritet të organizohet një takim i dytë, kësaj radhe mes delegacionit të Ukrainës dhe atij të Rusisë, që do të ndërmjetësohet nga pala turke. 

Konfirmohet takimi mes delegacionit rus dhe atij ukrainas

1 muaj më parë / 16 maj 2025 08:58
Vendi i takimit

Photo: Associated Press

Zyrtarët turq kanë konfirmuar për agjencinë e lajmeve Reuters se Turqia do të marrë pjesë në dy takime trepalëshe të premten, si pjesë e përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ku përfshihen bisedimet direkte mes delegacionit rus dhe atij ukrainas.

Agjencia e lajmeve ka raportuar se një takim ndërmjet zyrtarëve turq, amerikanë dhe ukrainas pritet të zhvillohet nga ora 9:45 (sipas kohës sonë lokale), i pasuar nga bisedimet mes delegacionit të Turqisë, Rusisë dhe Ukrainës nga ora 11:30 (sipas kohës lokale).

Delegacioni ukrainas do të kryesohet prej ministrit të Mbrojtjes, Rustem Umerov, teksa delegacioni rus udhëhiqet nga asistenti i presidentit Vladimir Putin, Vladimir Medinsky.