Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka bërë të ditur se delegacioni rus do të shkojë në Stamboll dhe do të jetë gati të marrë pjesë në një rund të dytë bisedimesh me Ukrainën të hënën, ka raportuar Associated Press.
I pyetur në lidhje me deklaratën e ministrit të Jashtëm turk, Hakan Fidan, se një takim trepalësh Trump, Putin dhe Zelensky mund të mbahet pas bisedimeve Rusi-Ukrainë në Stamboll, Peskov u përgjigj se nëse bisedimet japin rezultate, një takim i nivelit të lartë është i mundur.
“Presidenti Putin ka thënë vazhdimisht se është dakord në parim për kontakte të nivelit të lartë. Sigurisht, ato edhe kërkohen. Por ato duhet të jenë të përgatitura mirë dhe rezultatet e para duhet të arrihen në bisedimet e drejtpërdrejta midis delegacioneve të dy vendeve. Pas kësaj, nëse dhe kur të arrihen rezultate të tilla, atëherë kontaktet e nivelit të lartë mund të jenë të mundshme”, ka deklaruar Peskov.
Rundi i parë i bisedimeve mes delegatëve rusë dhe ukrainas nuk pati sjellë ndonjë përparim përpos shkëmbimit më të madh të të burgosurve.