Botë

Bessent: Bisedimet tregtare me Kinën kanë ngecur

Scott Bessent

Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent ka thënë të enjten për transmetuesin amerikan “Fox News” se bisedimet tregtare ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës kanë “ngecur”, shkruan BBC.

Ai i bëri këto komente pas marrëveshjes tregtare të arritur mes dy ekonomive më të fuqishme të botës në fillim të këtij muaji, teksa të dyja palët ishin pajtuar për t’i ulur tarifat.

“Mendoj se kur marrim parasysh rëndësinë e bisedimeve, ndërlikueshmërinë e tyre, kjo do të kërkojë që udhëheqësit e të dyja vendeve të bashkëveprojnë me njëri-tjetrin”, ka thënë Bessent.

Si SHBA-ja ashtu dhe Kina kishin konfirmuar se do të ulin tarifat e vendosura kundër importeve të njëra-tjetrës më herët këtë muaj, si produkt i negociatave tregtare në Zvicër.

Në kuadër të marrëveshjes, të dyja palët kishin anuluar disa tarifa specifike dhe kishin pezulluar tarifat e tjera për 90 ditë.

Bessent ka bërë të ditur se bisedimet mbi një marrëveshje tjetër kanë humbur momentumin, porse ka theksuar se ato po vazhdojnë.

“Besoj se do të mbajmë më shumë bisedime me Kinën gjatë javëve në vijim dhe besoj se mund të kemi një telefonatë midis presidentit Trump dhe presidentit kinez Xi Jingping”, ka deklaruar Bessent.

Ai ka shtuar se vendet kanë “marrëdhënie shumë të mira” dhe se ngelet optimist se “kinezët do të ulen në tavolinë kur presidenti Trump t’i bëjë të ditura preferencat e tij”.

Sipas marrëveshjes së arritur, SHBA-ja uli tarifat e vendosura mbi mallrat kineze nga 145 në 30 për qind.

Ndërsa, tarifat hakmarrëse të Kinës mbi mallrat amerikane ranë nga 125% në 10%.