SHBA-ja dhe Kina kanë rënë dakord të ulin tarifat për mallrat e njëra-tjetrës në mënyrë të konsiderueshme për 90 ditë, pas negociatave të tyre fundjavën që shkoi në Zvicër.
Duke folur në Gjenevë, sekretari i Thesarit, Scott Bessent ka thënë se "të dyja palët do të ulin tarifat e tyre me 115%", pasi kanë rënë dakord për një pauzë 90-ditore", raporton The Guardian.
Ky është një shtensionim i rëndësishëm në luftën tregtare që ka shpërthyer muajin e kaluar mes dy superfuqive ekonomike.
SHBA-ja kishte ngritur tarifën e saj ndaj Kinës në 145% (përfshirë tarifën 20% të shtuar për të trajtuar importet e fentanilit në SHBA), ndërkaq Pekini është hakmarrë me tarifa 125% për importet amerikane.
Sipas marrëveshjes, SHBA-ja i ka ulur tarifat e saj ndaj Kinës në 30%, ndërkaq Kina ndaj produkteve të SHBA-së në 10%.
Bessent u ka thënë gazetarëve se "të dyja palët treguan respekt të madh" gjatë bisedimeve të tyre duke shtuar se të dy shtetet kanë interes në tregtinë e ekuilibruar.
Trump: Marrëdhëniet SHBA-Kinë janë shumë të mira
Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka përshkruar marrëdhëniet midis SHBA-së dhe Kinës si “shumë të mira”.
Duke folur të hënën, pas arritjes së marrëveshjes tregtare mes dy vendeve, Trumpi ka thënë se SHBA-ja nuk po kërkon ta lëndojë Kinën.
"Ata po mbyllnin fabrikat. Ata kishin shumë trazira dhe ishin shumë të lumtur që mund të bënin diçka me ne”, është shprehur Trumpi.
Ai ka shtuar se administrata e tij bëri një "marrëveshje të madhe tregtare" me Kinën.
SHBA-ja do të vazhdojë të zbatojë një tarifë prej 30% për mallrat kineze gjatë pauzës 90-ditore të rënë dakord nga të dy vendet. E mallrat amerikane do të vazhdojnë të përballen me një tarifë prej 10% ndaj Kinës.
Dollari amerikan dhe juani kinez rriten pas marrëveshjes SHBA-Kinë
Vlera e dollarit amerikan dhe po ashtu e juanit kinez është rritur pas lajmit për arritjen e marrëveshjes mes SHBA-së dhe Kinës për t’i ulur tarifat për 115% për 90 ditë.
Dollari është rritur në vlerë kundrejt funtës, euros dhe jenit japonez, raporton BBC.
Juani është rritur gjithashtu në raport me këto tri monedha kryesore dhe po ashtu vetë dollarit.