Zyrtarët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës janë pajtuar të martën që të zgjasin afatin e marrëveshjes së tyre tarifore i cili ishte fillimisht 90 ditë, si rezultat i bisedimeve dyditore në Stokholm të Suedisë, e të cilat u kualifikuan si konstruktive nga të dyja palët.
Qëllimi i bisedimeve ishte depërshkallëzimi i luftës tregtare ndërmjet dy ekonomive më të mëdha të botës, ka raportuar Reuters.
Sidoqoftë, s’është njoftuar për asnjë përparim të jashtëzakonshëm, teksa zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se tanimë vendimi përfundimtar i takon presidentit amerikan, Donald Trump, në qoftë se dëshiron ta zgjasë paktin tregtar që skadon më 12 gusht ose të lejojë tarifat që të rriten.
E Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, ka ulur çdo pritshmëri që Trumpi mund ta refuzojë këtë zgjatje të afatit.
“Takimet ishin shumë konstruktive”, ka thënë Bessent për gazetarët pas përfundimit të takimit. “Thjesht s’kemi dhënë ende miratimin përfundimtar”.
Teksa Trumpi u kthye në Washington pas vizitës disa ditore që e pati në Skoci, ku edhe nënshkroi marrëveshjen tregtare me Bashkimin Evropian, ai ka bërë të ditur se Bessenti e ka informuar për bisedimet me Kinën.
“Ai u ndje shumë mirë për takimin, më mirë sesa në ditën e djeshme”, ishte shprehur Trumpi para gazetarëve nga avioni presidencial “Air Force One”.
Pas muajsh kërcënimesh për tarifa të larta ndaj partnerëve tregtarë, Trumpi ka arritur marrëveshje tregtare me BE-në, Japoninë, Indonezinë dhe vende të tjera, porse ekonomia gjigante e Kinës dhe kontrolli i saj mbi rrjedhën globale të metaleve të rralla e bëjnë këtë rund bisedimesh veçanërisht të ndërlikuar.