Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar të mërkurën se marrëveshja tregtare ndërmjet SHBA-së dhe Kinës është çështje e përfunduar, pas bisedimeve të mbajtura në Londër këtë javë, raporton The Guardian.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara tanimë do të kenë qasje në mineralet e rralla të tokës dhe magnetet kineze, çështje kjo që është shtyrë në vazhdimësi nga zyrtarët amerikanë gjatë negociatave.
Në një postim në rrjetin social “Truth Social”, Trumpi gjithashtu ka deklaruar se marrëdhënia me Kinën është “e shkëlqyeshme”, ndonëse disa kohë më parë kishte pretenduar se negociatat me Pekinin zyrtar nuk janë aspak “të lehta”.
“Marrëveshja jonë me Kinën ka përfunduar, tashmë është subjekt i miratimit përfundimtar nga presidenti Xi dhe unë. Magnete të plota, dhe çdo mineral i rrallë i nevojshëm, do të furnizohet nga Kina. Anasjelltas, ne do t’i ofrojmë Kinës çfarë u dakordua, përfshirë studentët kinezë që të vijnë në kolegjet dhe universitetet tona (gjë që gjithmonë ka qenë e mirë për mua!)”, ka shkruar ai.