Botë

SHBA-ja dhe Kina dakordohen për një plan për të lehtësuar kontrollet e eksportit

SHBA-Kine bisedimet

Foto: Associated Press

Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë rënë dakord për një kornizë për të zbatuar armëpushimin e tyre tregtar, kanë thënë zyrtarët e të dyja palëve të mërkurën, pas përfundimit të dy ditëve bisedimesh në Londër për të ulur tensionet dhe për të lehtësuar kufizimet e eksportit që kërcënojnë të prishin prodhimin global.

Negociatorët amerikanë dhe kinezë kanë rënë dakord "në parim" për një kornizë se si të zbatojnë konsensusin e arritur nga rundi i mëparshëm i bisedimeve në Gjenevë muajin e kaluar dhe oas një telefonate midis udhëheqësve të dy vendeve javën e kaluar, u ka thënë negociatori tregtar i Kinës Li Chenggang gazetarëve në Londër, sipas transmetuesit shtetëror kinez CGTN.

Zyrtarët e të dyja palëve tani do ta çojnë propozimin përsëri te udhëheqësit e tyre për miratim, u ka thënë gazetarëve në një konferencë të veçantë në Londër sekretari i Tregtisë i SHBA-së Howard Lutnick, raporton Reuters. 

"Nëse kjo miratohet, ne do ta zbatojmë kornizën”, ka thënë Lutnick.

Teksa asnjëra palë nuk ka zbuluar ndonjë specifikë të marrëveshjes, Lutnick ka treguar se të dyja palët kanë rënë dakord të hiqnin kontrollet e eksportit mbi mallrat dhe teknologjitë që janë thelbësore për tjetrën.