Botë

Trumpi vlerëson bisedimet tregtare SHBA-Kinë si "miqësore dhe konstruktive"

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se ka pasur një "rivendosje totale" në marrëdhëniet tregtare SHBA-Kinë pas ditës së parë të bisedimeve midis zyrtarëve amerikanë dhe kinezë në Zvicër, të shtunën.

Në një postim në mediat sociale, presidenti amerikan i ka përshkruar bisedimet si "shumë të mira" dhe ka thënë se ndryshimi ishte "negociuar në një mënyrë miqësore, por konstruktive", raporton BBC.

Një luftë tregtare e përshkallëzuar midis Uashingtonit dhe Pekinit ka bërë që presidenti amerikan të godiste importet kineze në SHBA me tarifa prej 145%. Kina është hakmarrë me taksa prej 125% për disa mallra amerikane.

Pas muajsh ngecje, të dy vendet po takohen në Gjenevë këtë fundjavë për herë të parë që kur Trumpi ka goditur Kinën me tarifa në fillim të vitit.

Nga bisedimet deri më tani ka dalë pak informacion përtej postimit të presidentit të SHBA-së në Truth Social. Ato do të vazhdojnë të dielën dhe do të zhvillohen midis zëvendëskryeministrit të Kinës, He Lifeng dhe Sekretarit të Thesarit të SHBA-së, Scott Bessent.

"Ne duam të shohim, për të mirën e Kinës dhe të SHBA-së, një hapje të Kinës ndaj biznesit amerikan. ËSHTË BËRË PËRPARIM I MADH!!!", ka shtuar Trump.

Të premten, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka thënë se Uashingtoni nuk do t'i ulë tarifat në mënyrë të njëanshme dhe Kina do të duhet të bëjë lëshimet e saj.

Të dyja palët lëshuan paralajmërime të tjera të ndryshme përpara takimit. Pekini ka thënë se SHBA-ja duhet të lehtësojë tarifat ndërsa Bessent ka theksuar se fokusi është te "shtensionimi" dhe se kjo nuk ishte një "marrëveshje e madhe tregtare".

Media shtetërore kineze ka raportuar se Pekini kishte vendosur të angazhohej me SHBA-në pasi kishte marrë në konsideratë plotësisht pritshmëritë globale, interesat e vendit dhe apelet nga bizneset amerikane.