Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Aktakuzë ndaj një personi për sulmin ndaj KFOR-it, Policisë e gazetarëve në Zveçan

KFOR

Prokuroria Speciale ka njoftuar se është ngritur aktakuzë ndaj një personi për sulmin e majit të vitit 2023 ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, atyre të Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në Komunën e Zveçanit.

Sipas aktakuzës, më 29 maj 2023 nga ora 06:00 e mëngjesit e deri në orët e mbrëmjes, në perimetrin ku ndodhet objekti i Komunës së Zveçanit, i pandehuri A.S., në koordinim me shumë të dyshuar të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, ka marrë pjesë në grupin e personave në kryerjen e këtyre veprave penale.

“A.S., akuzohet se në bashkëkryerje, përmes përdorimit të dhunës i ka sulmuar ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë zjarri. Si pasojë e këtyre sulmeve, janë lënduar disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës, dhe së paku 30 (tridhjetë) pjesëtarë të KFOR-it, 3 (tre) prej të cilëve kanë pësuar lëndime të rënda. Gjatë këtij sulmi po ashtu, janë sulmuar edhe veturat e gazetarëve të cilët kanë mbuluar ngjarjet e asaj dite”, thuhet në njoftim.

Ndaj të dyshuarit është ngritur aktakuzë për dy vepra penale “Sulm ndaj personit zyrtar” dhe “Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizmi”.