Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Futboll

Hajrizi e Fazliji kërkojnë fitore ndaj Izraelit

Kosova

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka vazhduar përgatitjet për dy përballjet e fundit në Ligën e Kombeve.

“Dardanët” të martën në kampin nacional të FFK-së në Hajvali e kanë zhvilluar seancën e dytë stërvitore në prag të ndeshjeve ndaj Izraelit dhe Irlandës.

Kosova të shtunën e pret Izraelin në Prishtinë, ndërsa më 17 nëntor në Dublin luan ndaj Irlandës.

Në stërvitje kanë marrë pjesë të gjithë futbollistët e ftuar, me përjashtim të mbrojtësit Lumbardh Dellova, i cili për shkak të lëndimit është liruar nga grumbullimi. 

Ekipit i është bashkuar futbollisti i St. Gallenit, Betim Fazliji. 

Për atmosferën dhe pritshmëritë para sfidave të ardhshme, të martën kanë folur Fazliji dhe Kreshnik Hajrizi. 

Të dy futbollistët janë shprehur të lumtur për kthimin te Kosova, duke vlerësuar pozitivisht mundësinë për të qenë sërish pjesë e grupit të “Dardanëve”.

27-vjeçari Fazliji, i cili kohëve të fundit është përballur me disa lëndime, ishte ftuar nga Kosova në muajin qershor për ndeshjen miqësore ndaj Andorrës.

Ai thekson se i gjithë ekipi është në formë të mirë dhe i gatshëm për ndeshjen ndaj Izraelit.

“Jam shumë i lumtur që më ka ftuar Kosova dhe që kam pasur mundësinë t’i bashkohem ekipit. Jam shumë krenar dhe për mua do të thotë gjithçka të mbështes vendin tonë dhe Kombëtaren. Me padurim pres që t’i luaj ndeshjet e ardhshme. Stërvitja ka shkuar shumë mirë, ekipi është në formë. Të gjithë janë të lumtur, të motivuar dhe të fokusuar. E presim një lojë shumë të mirë kundër Izraelit si vendas në stadiumin tonë”, ka thënë mesfushori defensiv.

Për shkak të një lëndimi Hajrizi kishte munguar në ndeshjet e kaluara të Kosovës.

Mbrojtësi i mungoi për disa muaj edhe skuadrës së Sionit. 

Ai është kthyer së fundmi nga lëndimi dhe në tri ndeshjet e fundit kampionale të Sionit në Superligën e Zvicrës ka qenë titullar. 

27-vjeçari Hajrizi shpreson që Kosova t’i fitojë pikët e plota në duelin ndaj Izraelit. 

“Kthimi im te Kosova është kënaqësi e madhe. Pas lëndimit gjithçka ka shkuar mirë. Stërvitja ka shkuar shumë mirë. Jemi duke e përgatitur ndeshjen shumë mirë, ekipi është i gatshëm dhe gjithashtu atmosfera është e mirë", ka theksuar Hajrizi, që foli për FFK-në.

Ai pret përkrahje të madhe nga tifozët.

"Luajmë në shtëpi para tifozëve tanë, gjithmonë është mirë për ne dhe shpresoj që do të bëjmë një ndeshje të mirë, pozitive dhe në fund t’i marrim tre pikë”, u shpreh Hajrizi. 

Kosova e zë vendin e dytë në grupin B3 me pesë pikë, sa ka edhe Irlanda në vendin e tretë. Grupit i prin Austria me tetë pikë. Izraeli është i fundit me dy pikë.