Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, ka pezulluar ndryshimet kryesore të pensioneve të Emmanuel Macronit të vitit 2023, deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027, me shpresën për të fituar mjaftueshëm deputetë socialistë për t'i mbijetuar një mocioni mosbesimi.
“Tubimi Kombëtar” i ekstremit të djathtë (RN) dhe e majta radikale “France Unbowed” (LFI) kanë paraqitur tashmë mocione mosbesimi për më vonë këtë javë, të cilat Lecornu do t'i humbasë pa mbështetjen e Partisë Socialiste (PS), e cila gjithashtu ka paralajmëruar se mund të paraqesë mocionin e vet.
Kryeministri, i cili ka dhënë dorëheqjen në fillim të javës së kaluar, por është riemëruar nga presidenti francez të premten, përballet me vështirësi për të miratuar buxhetin shtrëngues për vitin e ardhshëm përmes parlamentit thellësisht të ndarë të Francës, në të cilin asnjë grup i vetëm nuk ka shumicë.
Ai ka bërë njoftimin për pensionet– një ndryshim i cili parasheh rritjes e moshësë së daljes në pension në faza nga 62 në 64 vjeç, të martën në parlament, duke e parë këtë si të vetmen mënyrë për të siguruar mbijetesën.
“Do t’i propozoj parlamentit, duke filluar nga kjo vjeshtë, që të pezullojmë reformën e pensioneve të vitit 2023 deri në zgjedhjet presidenciale”, u ka thënë Lecornu deputetëve.
“Nuk do të ketë rritje të moshës së daljes në pension nga tani deri në janar 2028”, ka shtuar ai.
Plani jopopullor, i cili është miratuar në parlament pa votim, ishte parë si një nga trashëgimitë kryesore ekonomike të Macronit. Ministri i Financave, Roland Lescure, ka paralajmëruar javën e kaluar se pezullimi i tij do të "kushtonte miliarda euro" deri në vitin 2027.
Lecornu ka thënë se pezullimi do të kushtonte 400 milionë euro në vitin 2026 dhe 1.8 miliardë euro në vitin pasardhës, dhe do të përfitonin 3.5 milionë njerëz.
Franca është zhytur në krizën e saj më të keqe politike në dekada që kur Macroni thirri zgjedhje të parakohshme në vitin 2024 që prodhuan një parlament të varur, të ndarë në tri blloqe afërsisht të barabarta: e majta, e djathta ekstreme dhe aleatët e qendrës së vetë presidentit.
Kryeministri 39-vjeçar i ka kërkuar kabinetit të tij të ri të bëjë gjithçka për të ndihmuar vendin të dalë nga bllokimi dhe të miratojë buxhetin shtrëngues deri në fund të vitit. Macroni ka paralajmëruar se çdo votë për të rrëzuar kabinetin do të detyronte zgjedhje të parakohshme.
Dy paraardhësit e Lecornusë këtë vit, Michel Barnier dhe François Bayrou, u shkarkuan për shkak të planeve për të ulur shpenzimet publike.
Masat e propozuara nga Lecornu përfshijnë një "kontribut të jashtëzakonshëm" nga kompanitë e mëdha dhe pasuritë më të mëdha të Francës.
Borxhi i Francës është afër dyfishit të kufirit prej 60% të përcaktuar nga rregullat e BE-së.