Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Qeveria e Francës nën presion pas dhunës së përhapur gjatë fundjavës

Emmanuel Macron

Kryeministri i Francës, Sebastien Lecornu, do të mbajë të hënën një mbledhje urgjente të kabinetit qeveritar për të vlerësuar situatën pas dhunës dhe plaçkitjeve gjatë fundjavës në të gjithë vendin, në atë që po konsiderohet një nga rastet më të rënda të trazirave publike në historinë moderne të Francës.

Të shtunën, më shumë se gjysmë milioni njerëz, kryesisht protestues paqësorë, dolën në demonstrata kundër rritjes së kostos së jetesës dhe mundësive gjithnjë e më të kufizuara për të pasur shërbime publike cilësore, përfshirë arsimin e mirë shtetëror. Megjithatë, protestat morën një kthesë të dhunshme pasi u shfaqën grupe aktivistësh dhe vandalësh të veshur me të zeza dhe të maskuar.

Vlerësohet se rreth 1.500 dyqane dhe biznese u plaçkitën dhe u shkatërruan. Policia e trazirave përdori gaz lotsjellës dhe topa uji kundër turmave. Në disa vende, policët u panë duke goditur njerëzit me shkopinj gome. Ministria e Brendshme e Francës bëri të ditur se rreth 1,000 policë u plagosën të shtunën, shtatë prej tyre rëndë.

Në Francë kishin qarkulluar zëra se presidenti Emmanuel Macron mund të vendoste një shtetrrethim të përkohshëm në disa pjesë të vendit, apo edhe të shpallte gjendjen e jashtëzakonshme, me qëllim qetësimin e situatës së tensionuar. Në fund, të dielën, Macron iu drejtua kombit përmes një fjalimi televiziv, duke bërë thirrje për unitet kombëtar dhe duke u përpjekur t’i sigurojë qytetarët francezë se përgjegjësit për aktet e dhunës do të ndëshkohen.

Fjalimi i Macronit është kritikuar gjerësisht në rrjetet sociale dhe nga kundërshtarët politikë, të cilët e kanë cilësuar atë si të mangët në masa konkrete.