Gati 1.000 arrestime janë kryer, pasi qindra-mijëra njerëz morën pjesë në një ditë tjetër protestash në të gjithë Francën, të cilat u pasuan nga disa përleshje të shtunën në mbrëmje, kanë bërë të ditur zyrtarët.
Pas një dite me demonstrata kryesisht paqësore, policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit në disa qytete, përfshirë Parisin. Ndërkohë, në Marsejë u dogjën barrikada, ndërsa në Bordo njerëzit shkulën dërrasat mbrojtëse nga një dyqan.
Megjithatë, deri më tani, zyrtarët kanë arritur të shmangin trazirat dhe plaçkitjet në shkallën e parë fundjavën e kaluar, të cilat shkaktuan disa nga skenat më të rënda të çrregullimeve në historinë moderne të Francës.
Ministria e Brendshme bëri të ditur se rreth 410.000 njerëz protestuan të shtunën, ndërsa sindikatat e vlerësuan numrin e pjesëmarrësve në rreth 800.000.
Rreth 70.000 policë u angazhuan në terren dhe në disa qytete u vendosën kufizime, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të protestave të fundit kundër kostos së jetesës dhe kushteve të këqija në shkolla, të cilat mund të shndërroheshin në kaosin e parë më herët, kur policia u gjend në numër më të vogël se protestuesit, qindra biznese u plaçkitën dhe ndërtesa u dogjën.
Edhe
Protesta në tërë Francën, 135 të arrestuar deri në mesditë
Presidenti Emmanuel Macron kishte urdhëruar në fillim të kësaj jave që të lejoheshin vetëm demonstratat e organizuara nga sindikatat e njohura të punëtorëve.
Qindra persona janë dënuar me burgim për vandalizëm, zjarrvënie të qëllimshme dhe plaçkitje, pas seancave gjyqësore të përshpejtuara të zhvilluara gjatë ditëve të fundit.