Sot në Serbi mbahen zgjedhjet e parakohshme për Parlamentin prej 250 ulësesh, në të cilat Koalicioni Shqiptar garon si subjekt i vetëm politik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës, me numrin 17, teksa serbët nga Kosova mund të votojnë në vendvotimet e vendosura në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Qendrat e votimit do të hapen në orën 07:00 dhe do të mbyllen në orën 20:00. Votuesit duhet të kenë letërnjoftim ose pasaportë të vlefshme, ndërsa njoftimi zyrtar për votim nuk është i nevojshëm pasi kushti i vetëm thelbësor është regjistrimi në listën zgjedhore. Në këto zgjedhje garojnë gjithsej 18 lista.
Sipas Komisionit Zgjedhor Republikan, numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar është 6 milionë e 450 mijë e 523, ndërsa votimi organizohet në gjithsej 8 mijë e 392 vendvotime. Nga vendvotimet në Serbi, 29 ndodhen brenda institucioneve korrektuese. Në zgjedhje, serbët nga Kosova mund të votojnë në 60 vendvotime në Vranjë, Kurshumli, Rashkë dhe Tutin.
Përfaqësuesit politikë të Kosovës u kanë bërë thirrje shqiptarëve në Serbi për pjesëmarrje masive, me synimin për të siguruar sa më shumë deputetë. Përfaqësues shtetërorë e edhe partiakë të Kosovës, edhe gjatë fushatës për zgjedhjet e parakohshme në Serbi kanë pritur kandidatët shqiptarë për deputetë dhe kanë bërë thirrje për mobilizim e pjesëmarrje masive në votime, me qëllimin për të siguruar sa më shumë ulëse në Kuvend.
Sipas regjistrimit të popullsisë që në vitin 2022 është realizuar në Serbi, në këtë shtet janë deklaruar 61 mijë e 687 shqiptarë. Aktivistë politikë dhe të shoqërisë civile në Luginë vazhdimisht kanë alarmuar për politikat që aplikon shteti serb, e që për qëllim kanë spastrimin etnik të kësaj pjese, nëpërmjet procesit të pasivizimit të adresave.
Lista e përbashkët e partive politike shqiptare të Luginës quhet “Koalicioni Shqiptar”. Marrëveshja për të garuar bashkë u arrit në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës, siç njoftoi në fund të shtatorit vetë kryeministri Albin Kurti.
Bashkimi i të gjitha partive politike shqiptare në Luginë, kurdo që ka ndodhur, është përkthyer në rezultat më të mirë zgjedhor, dhe përfaqësim më të madh në numër në Kuvendin me 250 ulëse të Serbisë. Por, kur nuk ishin bashkë, i vetmi që zakonisht i përfaqësonte viteve të fundit ishte Shaip Kamberi.
Për herë të parë, në vitin 2020, u bënë bashkë të gjitha partitë shqiptare të Luginës së Preshevës dhe garuan në një listë të vetme. Ishte hera e parë gjithashtu që u siguruan tri ulëse nga shqiptarët në Parlamentin e Serbisë.
Presidenti i deritanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dha dorëheqjen nga posti i të parit të shtetit serb, në mbrëmjen e 27 shtatorit. Ai dha dorëheqje për të marrë pjesë në garën për postin e kryeministrit si kandidat i partisë së tij, Partisë Përparimtare Serbe (SNS).
Megjithatë, këto zgjedhje konsiderohen si rrallë herë të pasigurta për fitoren e Vuçiqit. Lista e Studentëve po prin në disa sondazhe e në të tjera qëndron fare afër përqindjes së listës së Vuçiqit.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë thirrje shqiptarëve në Luginë: Dilni masivisht në votime
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Luginës së Preshevës që masivisht të marrin pjesë në zgjedhjet të cilat po mbahen sot në Serbi.
Përmes një postimi në rrjetin social X, ka deklaruar se secila votë ka rëndësi për të ardhmen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Ka deklaruar se pjesëmarrja e lartë në zgjedhje ndikon në forcimin e zërit të qytetarëve për të drejtat e tyre dhe përfaqësimin politik.
Të dashur bashkëatdhetarë, qytetarë të Luginës së #Preshevës.
— Ferit Hoxha🇦🇱 (@HoxhaFer) October 25, 2026
Pjesëmarrja në zgjedhje është një e drejtë themelore demokratike, por edhe një mundësi e rëndësishme për të bërë që zëri juaj të dëgjohet dhe të ketë peshën që meriton.
Sot është dita për ta bërë këtë, duke marrë…
Deri në 90 minuta pritje në Jarinjë për dalje nga Kosova
Kolona të veturave për dalje nga Kosova në pikat kufitare në Jarinjë, Bërnjak, Merdar e Dheu i Bardhë janë raportuar nga Qendra Kombëtare për Menaxhim Kufitar.
Sipas të dhënave të paraqitura në orën 8, pritjet në Jarinjë për dalje nga Kosova shkojnë deri në 90 minuta, në Bërnjak 30 minuta, në Merdar deri në 40 minuta e te Dheu i Bardhë 25 minuta.
Pikat tjera kufitare, sipas të dhënave të paraqitura, nuk janë të ngarkuara.
