Mijëra persona protestuan të enjten në Paris, pasi gjykata administrative rrëzoi ndalimin e demonstratës të vendosur nga policia, për shkak të frikës nga përsëritja e trazirave të dhunshme të fundjavës së kaluar.
Protesta në kryeqytetin francez u zhvillua në mënyrë paqësore, nën masa të shtuara sigurie. Organizatorët u zotuan që tubimi të mbahej në një vend të caktuar, për ta shmangur përshkallëzimin e situatës.
Gjatë trazirave të fundit në Francë, grupe të rinjsh u përleshën me policinë, plaçkitën dyqane dhe dogjën automjete, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale. Për këtë arsye, autoritetet kishin vendosur ndalimin e protestave në disa qytete, përfshirë Paris, Lyon, Lille dhe Grenoble.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, deklaroi se masat e ndërmarra nga autoritetet synonin mbrojtjen e qendrave urbane, bizneseve dhe ndërtesave publike. Megjithatë, ndalimet kanë nxitur debat mbi të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar.
Pas një takimi për çështjet e sigurisë në Pallatin Elysee, Macroni tha se demonstratat e kërkuara nga individë ose grupe që, sipas tij, nuk kanë autoritetin e nevojshëm për t'i organizuar ato, do të ndalohen. Ndërkohë, kërkesat e sindikatave do të shqyrtohen në përputhje me ligjin, ndërsa organizatorëve mund t'u propozohen itinerare alternative për t’i shmangur zonat më të ndjeshme.
“Rregullat janë të thjeshta dhe, mendoj, krejtësisht të arsyeshme. Rekomandimi i përgjithshëm është që në ditët në vijim të mos ketë demonstrata. Për ata që duan të protestojnë, sindikatat mund të paraqesin kërkesat e tyre dhe autoritetet do t'u propozojnë itinerare alternative”, deklaroi Macron.
Kreu i shtetit francez fajësoi për dhunën e fundjavës grupet radikale të së majtës ekstreme, të cilat, sipas tij, synonin ta rrëzonin rendin republikan. Ai kritikoi gjithashtu personat që shfrytëzuan trazirat për të plaçkitur dyqane.
Ndalimi i protestave kishte përfshirë tubimet e planifikuara për të enjten në Paris, Lyon, Lille dhe Grenoble. Megjithatë, vendimi për kryeqytetin u rrëzua nga gjykata administrative, duke u mundësuar mijëra qytetarëve të protestonin në Paris. Organizatorët u angazhuan që demonstrata të zhvillohej në mënyrë paqësore dhe pa lëvizje drejt zonave të tjera të qytetit.
Ndërkohë, organizatat e nxënësve të shkollave të mesme dhe studentëve universitarë kanë deklaruar se do të vazhdojnë mobilizimin, pavarësisht se pushimet vjeshtore kanë nisur këtë javë.
Protestat e së enjtes shiheshin si parapërgatitje për demonstratën e madhe të së shtunës, ku pritet të marrin pjesë aktivistë të lëvizjes “Jelekët e Verdhë” dhe përfaqësues të sindikatës së punëtorëve CGT.
Lëvizja “Jelekët e Verdhë” organizoi protesta të mëdha në vitet 2018 dhe 2019, të nxitura fillimisht nga pakënaqësia për çmimet e karburanteve.
Macron: Do të ndalojmë demonstratat që s’janë të organizuara nga sindikatat
Kryeministri francez, Sebastien Lecornu, i cili u takua të mërkurën me përfaqësues të sindikatave, deklaroi se për të shtunën është planifikuar një operacion i gjerë sigurie, me qëllim parandalimin e përsëritjes së dhunës nga grupe të vogla protestuesish.
Përfaqësuesit sindikalë thanë se takimi me kryeministrin nuk solli propozime konkrete. Ata tashmë po përqendrohen te një tjetër ditë protestash, e planifikuar për 5 nëntor, ndërsa u kanë bërë thirrje punonjësve të sektorit publik dhe privat që t'u bashkohen mobilizimeve.
Autoritetet franceze kanë paralajmëruar se masa të tjera kufizuese mund të vendosen edhe në ditët në vijim, në varësi të zhvillimeve dhe vlerësimit të situatës së sigurisë.