Botë

Macroni emëron Sebastien Lecornu kryeministër të ri të Francës

Emmanuel Macron dhe Sebastien Lecornu

Emmanuel Macron dhe Sebastien Lecornu

Foto: Associated Press

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka emëruar të martën si kryeministër të ri të Francës, aleatin e tij Sebastien Lecornu, një ish-konservator i cili ishte kandidat për president në zgjedhjet e vitit 2017.

Zgjedhja e Lecornu, 39 vjeç, tregon vendosmërinë e Macronit për të vazhduar me një qeveri minoritare që qëndron fort pas agjendës së tij të reformave ekonomike pro-biznes, sipas së cilës taksat mbi biznesin dhe të pasurit janë ulur dhe mosha e daljes në pension është rritur.

Macron u detyrua të emëronte një kryeministër të pestë në më pak se dy vjet pasi parlamenti rrëzoi Francois Bayrou në një votëbesim të hënën, pas nëntë muajsh në detyrë, për shkak të planeve të tij për zbutjen e borxhit në rritje të vendit.

Emërimi i Lecornu-së nuk është pa rreziqe për Macronin. Ai rrezikon të duket i shurdhër në një kohë pakënaqësie popullore që po zien dhe teksa sondazhet tregojnë se votuesit duan ndryshim. Protestat mbarëkombëtare "Blloko gjithçka" kërcënojnë përçarje të gjera të mërkurën.

Lecornu ka shërbyer së fundmi si ministër i Mbrojtjes i Macron-it, duke mbikëqyrur një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes dhe duke ndihmuar në formësimin e mendimit evropian mbi garancitë e sigurisë për Ukrainën në rast se ndërmjetësohet një marrëveshje paqeje me Rusinë.

Lecornu hyri në politikë duke bërë fushatë për ish-presidentin Nicolas Sarkozy kur ai ishte 16 vjeç. 

Ai u bë kryetar bashkie i një qyteti të vogël në Normandi kur mbushi 18 vjeç dhe më pas këshilltari më i ri qeveritar i ish-presidentit Nicolas Sarkozy ,në moshën 22 vjeç.