Botë

Jep dorëheqje kryeministri francez Lecornu, pas më pak se një muaj në detyrë

Sebastien Lecornu

Foto: Associated Press

Kryeministri francez Sebastien Lecornu ka dhënë dorëheqje, më pak se një ditë pasi që u zyrtarizua kabineti i tij qeveritar, raporton “BBC”. 

Pallati Elysee ka njoftuar për dorëheqjen, pasi që Lecornu u takua me presidentin francez Emmanuel Macron të hënën në mëngjes, ku u diskutua për më tepër se një orë. 

Lëvizja shokuese vjen vetëm 26 ditë pasi Lecornu u caktua kryeministër pas rrëzimit të qeverisë së kaluar të François Bayrous. 

Partitë në Parlamentin e Francës e kanë kritikuar ashpër përbërjen e kabinetit të Lecornus, që ka mbetur kryesisht i pandryshuar nga kabineti paraprak i Bayrous. 

Disa parti tash po bëjnë thirrje për zgjedhje të jashtëzakonshme, ndërsa po i bëhet thirrje edhe Macronit që të japë dorëheqje. Macroni vazhdimisht ka insistuar se nuk do të largohet para se t’i përfundojë mandati në vitin 2027. 

Franca ka qenë në krizë politike që nga korriku i vitit 2024, kur zgjedhjet e parakohshme parlamentare nuk prodhuan një shumicë të qartë. 

Kjo e ka bërë të vështirë për çdo kryeministër që të sigurojë mbështetjen e nevojshme për t’i miratuar projektligjet dhe buxhetin vjetor. 

Lecornu – ish-ministër i Forcave të Armatosura – ishte kryeministri i pestë i Francës në më pak se dy vjet.