Presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka kthyer Sebastien Lecornun në postin e kryeministrit vetëm katër ditë pasi ai u dorëhoq nga kjo detyrë.
Macroni e dha njoftimin të premten në mbrëmje, pak orë pas takimit me të gjitha partitë e mëdha, pos liderëve të krahut të ekstremit të djathtë dhe atij të majtë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoRikthimi i Lecornut konsiderohet befasi, pasi vetëm pak ditë më parë u shpreh se “misioni i tij ka përfunduar”.
Nuk është e sigurt nëse ai do të jetë në gjendje të formojë qeverinë. Kryeministri i ri ka afat deri të hënën për të kaluar buxhetin e vitit të ardhshëm në Kuvend.
Sipas komunikatës zyrtare nga Presidenca franceze, Macroni ka udhëzuar Lecornun ta formojë qeverinë, ndërsa ai nëpërmjet një njoftimi në X ka thënë se e ka pranuar detyrën për shkak të besimit të presidentit. Është zotuar se do të bëjë gjithçka që t’i japë Francës buxhetin e duhur dhe t’u përgjigjet problemeve të përditshme të Francës.
Ndarjet politike janë thelluar në Francë mbi mënyrën e uljes së borxhit kombëtar. Këto probleme kanë çuar në rrëzimin e dy prej tre kryeministrave të fundit vitin e shkuar.