Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka thënë të hënën se do të vazhdojë të shërbejë për të siguruar stabilitetin në vend, duke injoruar thirrjet e përsëritura nga opozita që ai të japë dorëheqjen mes krizës më të keqe politike të Francës në dekada.
"Mos harroni kurrë se mandati i dhënë nga populli francez është të shërbejë, të shërbejë dhe të shërbejë, dhe të japë përgjigje për pyetjet e njerëzve të zakonshëm francezë, dhe të bëjë gjithçka që është e mundur për pavarësinë e Francës", u ka thënë Macroni gazetarëve në Egjipt, vetëm disa ditë pasi riemëroi kryeministrin Sebastien Lecornu si kreun e qeverisë së tij.
"Kjo është e vetmja gjë që ka rëndësi. Pjesa tjetër është punë e qeverisë... Unë do të vazhdoj të siguroj stabilitet", ka shtuar Macron, mandati i dytë dhe i fundit i të cilit përfundon në vitin 2027.
Macroni e ka kthyer Lecornun në postin e kryeministrit vetëm katër ditë pasi ai u dorëhoq nga kjo detyrë.
Macroni e ka dhënë njoftimin të premten në mbrëmje, pak orë pas takimit me të gjitha partitë e mëdha, pos liderëve të krahut të ekstremit të djathtë dhe atij të majtë.
Nuk është e sigurt nëse ai do të jetë në gjendje të formojë qeverinë. Kryeministri i ri ka afat deri të hënën për të kaluar buxhetin e vitit të ardhshëm në Kuvend.