Botë

Izraeli dhe Siria po zhvillojnë bisedime direkte për sigurinë

Ushtria izraelite

Foto: Associated Press

Izraeli dhe Siria janë duke zhvilluar bisedime direkte dhe javët e fundit kanë mbajtur takime ballë për ballë, me qëllim lehtësimin e tensioneve dhe parandalimin e konfliktit në rajonin kufitar midis dy armiqve të kahmotshëm, kanë thënë pesë persona të njohur me këtë çështje. 

Kontaktet shënojnë një zhvillim të rëndësishëm në lidhjet midis shteteve që kanë qenë në anët e kundërta të konfliktit në Lindjen e Mesme për dekada, pasi SHBA-ja ka inkurajuar sundimtarët e rinj islamikë në Damask që të vendosin marrëdhënie me Izraelin dhe Izraeli do të lehtësojë bombardimet e tij ndaj Sirisë, raporton Reuters.

Bisedimet e drejtpërdrejta dhe shtrirja e tyre nuk janë raportuar më parë.

Nga ana siriane, burimet kanë thënë se kontaktet janë udhëhequr nga zyrtari i lartë i sigurisë Ahmad al-Dalati, i cili është emëruar guvernator i provincës së Quneitra, e cila kufizohet me Lartësitë Golan të pushtuara nga Izraeli, pas rënies së Asadit. 

Në fillim të kësaj jave, Dalati është vënë gjithashtu në krye të sigurisë në provincën jugore të Sëeida, shtëpia e pakicës druze të Sirisë.

Nuk dihet se kush ka marrë pjesë në bisedime nga ana e Izraelit, megjithëse dy nga burimet kanë thënë se ata ishin zyrtarë të sigurisë.

Tri nga burimet kanë thënë se ka pasur disa runde takimesh në rajonin kufitar, duke përfshirë në territorin e kontrolluar nga Izraeli.  

Në fillim të këtij muaji, presidenti i përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa ka konfirmuar bisedimet indirekte me Izraelin për të cilat ka thënë se kishin për qëllim qetësimin e tensioneve.

Izraeli ka pushtuar lartësitë siriane të Golanit që nga lufta arabo-izraelite e vitit 1967 dhe ka marrë më shumë territore pas përmbysjes së Asadit në dhjetor, duke përmendur shqetësimet e vazhdueshme për të kaluarën ekstremiste të sundimtarëve të rinj të vendit.

Ajo gjithashtu ka zhvilluar një fushatë bombardimesh ajrore që ka shkatërruar një pjesë të madhe të infrastrukturës ushtarake të vendit, ndërsa në të njëjtën kohë lobonte në Uashington për ta mbajtur vendin të dobët dhe të decentralizuar.

Por bombardimet dhe kritikat janë ulur në javët e fundit.

Më 14 maj, një takim midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe Sharaa në Riad përmbysi dekada të politikës së SHBA-së për Sirinë dhe i sinjalizoi qeverisë së krahut të djathtë të Izraelit se duhet të punojë për të arritur mirëkuptim me Sharaan.