Botë

Presidenti sirian konfirmon vazhdimin e negociatave me Izraelin për marrëveshje të sigurisë

Ahmed al-Sharaa

Presidenti i përkohshëm i Sirisë, Ahmad al-Sharaa, ka konfirmuar se negociatat janë duke vazhduar me Izraelin për të arritur një marrëveshje sigurie në të ardhmen e afërt.

Që nga rënia e qeverisë së ish-presidentit Bashar Assad në fillim të dhjetorit, Izraeli ka kryer qindra sulme ajrore në të gjithë vendin duke shkatërruar pjesën më të madhe të aseteve të ushtrisë siriane dhe zonat e pushtuara në Sirinë jugore.

Në një intervistë për televizionin shtetëror sirian, al-Sharaa, është shprehur i bindur që sapo të arrihet marrëveshja, forcat izraelite do të kthehen aty ku ishin para rënies së qeverisë së Asadit.

“Izraeli e konsideroi rënien e regjimit si tërheqjen e Sirisë nga marrëveshja e vitit 1974, edhe pse Siria tregoi angazhimin e saj ndaj marrëveshjes që nga momenti i parë”, ka thënë al-Sharaa.

Izraeli dhe Siria, që zyrtarisht janë në luftë që nga viti 1948, arritën një pakt për ndaljen e armiqësive më 1974. Marrëveshje, që u ndërmjetësua pas luftës së vitit 1973, krijoi një zonë të sigurt në Lartësitë e Golanit nën mbikëqyrjen e Kombeve të Bashkuara për të ndarë forcat izraelite dhe siriane.