Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja synon të kapërcejë mosmarrëveshjet, mblidhet sot për buxhetin 2028-2034

Lideret e BE-se

Foto: Associated Press

Liderët e Bashkimit Evropian do të përballen të enjten me mosmarrëveshje të forta lidhur me propozimin për buxhetin e bllokut, në vlerë prej afro 1.6 trilion eurosh, për periudhën 2028-2034. Ata shpresojnë të ngushtojnë dallimet mes vendeve anëtare, në mënyrë që të arrijnë një marrëveshje në dhjetor, kanë thënë diplomatë.

Diplomatët kanë deklaruar se presin që qeveritë të paraqesin me vendosmëri qëndrimet e tyre për çështjet kryesore, përfshirë mbështetjen financiare për Ukrainën, ndërsa lufta e Rusisë kundër këtij vendi po vazhdon prej afro pesë vjetësh.

27 vendet anëtare të BE-së shpresojnë që takimi të krijojë kushtet që kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Costa, të paraqesë një propozim të ri për buxhetin gjatë javëve të ardhshme dhe që vendet anëtare ta miratojnë atë në samitin e 17 dhe 18 dhjetorit.

Një diplomat pret që në takimin e së enjtes “liderët të bërtasin, të ankohen dhe të tregojnë se janë të gatshëm të luftojnë”.

“Fillimisht duhet të ndodhë kjo. Duhet të ketë një përplasje të fortë, të shpërthejnë tensionet, përpara se të arrihet marrëveshja”, ka thënë për Reuters diplomati.

Edhe BE-ja planifikon t’ia paguajë Ukrainës këtë pranverë ndihmën e bllokuar nga Hungaria Botë BE-ja planifikon t’ia paguajë Ukrainës këtë pranverë ndihmën e bllokuar nga Hungaria

Megjithëse buxheti do të hyjë në fuqi në vitin 2028, liderët dëshirojnë të arrijnë marrëveshje deri në fund të këtij viti, pasi vitin e ardhshëm do të mbahen zgjedhje në Francë, Itali, Poloni, Greqi, Estoni, Finlandë dhe Sllovaki, gjë që mund t'i ndërlikojë negociatat.

Buxheti shtatëvjeçar kërkon miratimin unanim të të gjitha 27 vendeve anëtare.

“Unë nuk mendoj se negociatat e vërteta do të zhvillohen derisa të jemi nën presion të madh. Zakonisht kështu ndodh, kur kemi një afat të vërtetë dhe shumë të afërt”, ka thënë një tjetër diplomat.

Sipas propozimit të fundit, të cilin Costa e ka paraqitur këtë javë, buxheti shtatëvjeçar arrin në 1.582 trilion euro. Në këtë shumë përfshihen edhe 140 miliardë euro për shlyerjen e huamarrjeve të bëra gjatë pandemisë.

Zëri më i madh i buxhetit, me rreth 740 miliardë euro, është paraparë për mbështetjen e fermerëve evropianë dhe për të ndihmuar rajonet më të varfra të BE-së që të afrohen ekonomikisht me ato më të pasura.

Në takimin e së enjtes, liderët duhet të gjejnë gjithashtu një mënyrë për të vazhduar financimin e Ukrainës.

Buxhti për periudhën 2028-2034 përfshin deri në 100 miliardë euro për Ukrainën, kryesisht për mbrojtjen dhe mbështetjen e buxhetit shtetëror. Megjithatë, diplomatët thonë se kjo shumë është shumë më e ulët se nevojat e vendit.

Edhe Udhëheqësit e BE-së mblidhen në Bruksel për të vendosur për financimin e Ukrainës Botë Udhëheqësit e BE-së mblidhen në Bruksel për të vendosur për financimin e Ukrainës

Bisedimet do të përfshijnë edhe ndihmën për Kievin gjatë vitit 2027, pasi një kredi e propozuar për mbledhjen e fondeve për Ukrainën do të merrej përmes buxhetit aktual të BE-së, i cili përfundon në fund të vitit të ardhshëm.

BE-ja synon të marrë hua 45 miliardë euro dhe t'ia japë Ukrainës, me kusht që kredia të shlyhet vetëm kur Rusia t'i paguajë Kievit dëmshpërblimet e luftës.

Gjatë vitit 2027, vende jashtë BE-së, si Britania, Norvegjia, Japonia, Zvicra dhe Kanadaja, do të sigurojnë edhe 25 miliardë euro të tjera për Ukrainën. Së bashku, këto 70 miliardë euro do të mbulonin mungesën e financimit me të cilën përballet Ukraina vitin e ardhshëm.

Një nga çështjet kryesore të debatit të së enjtes do të jetë nëse të gjitha vendet anëtare duhet të kontribuojnë në kredinë prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën.

Sllovakia, Çekia, Hungaria dhe Bullgaria kundërshtojnë këtë propozim, ndërsa Gjermania dhe disa vende të tjera e kanë bërë pjesëmarrjen në këtë kredi kusht për arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë për buxhetin.

Këto katër vende janë ndër përfituesit kryesorë neto të fondeve të BE-së. Debati pasqyron ndarjet e vazhdueshme mes vendeve që kontribuojnë më shumë në buxhetin e BE-së sesa marrin prej tij, si Gjermania, Suedia, Holanda dhe Finlanda, dhe atyre që, në bilanc, marrin më shumë sesa paguajnë.

Edhe BE-ja propozon kredi prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën Botë BE-ja propozon kredi prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën

Vendet kontribuuese neto kërkojnë shkurtime të buxhetit të BE-së, të cilat do të ulnin edhe kontributet e tyre. Ato kërkojnë që shpenzimet të përqendrohen në rritjen e konkurrueshmërisë së BE-së përballë rivalëve globalë, si SHBA-ja dhe Kina, në vend që të subvencionohen bujqësia evropiane dhe rajonet e varfra.

Ndërkaq, vendet përfituese neto argumentojnë se buxheti duhet të sigurojë fonde për të dyja këto objektiva. Ato besojnë se kjo do të ndihmonte në ruajtjen e mbështetjes së qytetarëve për BE-në, në një kohë kur partitë politike të ekstremit të djathtë po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet në të gjithë Evropën.