Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

BE-ja propozon kredi prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën

Ursula von der Leyen

Foto: Associated Press

Komisioni Evropian ka propozuar një kredi të re prej 45 miliardë eurosh për Ukrainën për vitin 2027, e cila do të shlyhet përmes dëmshpërblimeve që Rusia do të duhet të paguajë në të ardhmen për dëmet e shkaktuara nga lufta, ka deklaruar të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Kjo kredi pritet të mbulojë rreth dy të tretat e mungesës së financimit prej 70 miliardë eurosh, me të cilën Ukraina parashikohet të përballet vitin e ardhshëm, ndërsa vazhdon luftën kundër pushtimit rus të nisur në vitin 2022, ka thënë von der Leyen.

“Ne mendojmë se kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë Ukrainës një pozitë më të fortë në tryezën e negociatave”, u ka thënë von der Leyen gazetarëve në Bruksel. 

“Dhe Ukraina do të duhet ta shlyejë kredinë vetëm pasi Rusia të paguajë për dëmet që ka shkaktuar në Ukrainë”.

Sipas von der Leyen, partnerët e tjerë ndërkombëtarë të Kievit pritet të sigurojnë pjesën e mbetur të financimit të nevojshëm për të mbuluar këtë mungesë.

Masa e propozuar, e cila kërkon miratimin e vendeve anëtare të BE-së, do t’i shtohej një kredie të ngjashme prej 90 miliardë eurosh për Ukrainën, për të cilën udhëheqësit e BE-së kanë rënë dakord në fund të vitit të kaluar, me qëllim financimin e Kievit gjatë viteve 2026 dhe 2027.