Një zjarr ka shpërthyer në orët e hershme të mëngjesit në autotransformatorin AT2 (400/220 kV) në nënstacionin Kosova B.
Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka njoftuar se menjëherë pas raportimit të zjarrit janë njoftuar shërbimet emergjente, të cilat kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Ekipet teknike ndodhen në terren, ku po vlerësojnë dëmet dhe po shqyrtojnë rrethanat e avarisë.
Sipas KOSTT-it, incidenti nuk ka ndikuar në furnizimin e qytetarëve me energji elektrike.
“Furnizimi me energji elektrike ka vazhduar pa ndërprerje, pasi avaria në autotransformator nuk ka ndikuar në funksionimin e sistemit elektroenergjetik të Kosovës”, thuhet në njoftim.
KOSTT ka falënderuar ekipet e zjarrfikësve për ndërhyrjen dhe Policinë e Kosovës për bashkëpunimin në vendin e ngjarjes.
Shkaqet e zjarrit dhe përmasat e dëmeve ende nuk janë bërë të ditura.