Aktorët e njohur, Brad Pitt dhe Angelina Jolie kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së tyre disavjeçare për shitjen e kantinës së verës Château Miraval në Francë, duke e mbyllur çështjen jashtë gjykatës.
Në një deklaratë të përbashkët për Page Six, ish-bashkëshortët konfirmuan lajmin.
“E kemi zgjidhur çështjen jashtë gjykatës, në interesin më të mirë të familjes tonë, dhe nuk do të bëjmë komente të tjera. Çdo koment i publikuar në media, që u atribuohet burimeve anonime, nuk vjen nga asnjëri prej nesh dhe as nga persona të afërt me ne”, thuhet në deklaratën e tyre.
Detajet financiare dhe kushtet e marrëveshjes nuk janë bërë publike.
Pitt dhe Jolie e blenë pronën në vitin 2008, ndërsa u martuan aty në vitin 2014. Konflikti për kantinën nisi pas ndarjes së tyre në vitin 2016.
Në vitin 2022, Pitt e paditi Jolien, duke e akuzuar se kishte shitur pa miratimin e tij pjesën e saj të pronës te biznesmeni rus Yuri Shefler. Sipas aktorit, ata kishin rënë dakord që asnjëri të mos e shiste pjesën e vet pa pëlqimin e tjetrit.
Jolie i hodhi poshtë akuzat dhe pretendoi se Pitt kishte refuzuar t’ia blinte pjesën e saj, përveçse nëse ajo firmoste një marrëveshje të gjerë konfidencialiteti. Sipas saj, kjo marrëveshje synonte ta pengonte të fliste për abuzimin e pretenduar ndaj saj dhe fëmijëve. Avokatët e Pitt i mohuan kategorikisht këto pretendime.
Më vonë, Jolie ngriti një kundërpadi prej 250 milionë dollarësh, duke e akuzuar ish-bashkëshortin se po zhvillonte një fushatë hakmarrëse për të marrë kontrollin e kantinës dhe për ta përjashtuar atë nga fitimet.
Në korrik 2024, avokati i aktores i kërkoi Pittit t’i jepte fund konfliktit.
“Angelina i kërkon sërish zotit Pitt që t’i japë fund kësaj beteje dhe t’i japë familjes së tyre mundësinë të nisë një proces shërimi”, pati deklaruar avokati.
Megjithatë, çështja vazhdoi në gjykatë dhe në muajin qershor Pitt arriti një fitore ligjore, duke siguruar të drejtën për të marrë në pyetje përfaqësues të kompanisë “Stoli Group”, të cilët mund të kishin dijeni për shitjen e pronës.
Tashmë, marrëveshja e re i jep fund edhe kësaj beteje, pas përfundimit të divorcit të tyre në muajin dhjetor të vitit 2024, procedura e të cilit zgjati plot tetë vjet.
Ish-çifti ka gjashtë fëmijë, Maddox, Pax, Zahara, Shiloh dhe binjakët Knox e Vivienne. Sipas raportimeve, disa prej tyre janë distancuar nga babai dhe kanë hequr mbiemrin Pitt nga emrat e tyre. Një burim i cituar nga Page Six pretendon se edhe Knox mund të bëjë të njëjtën gjë, megjithëse deri tash nuk ka paraqitur kërkesë zyrtare.
Ndërkohë, Brad Pitt nga viti 2022 vazhdon lidhjen me Ines de Ramon.