Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, ka urdhëruar forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve bërthamore të vendit, duke kërkuar rritjen e prodhimit të armëve bërthamore.
Deklarata e tij vjen vetëm disa ditë pasi Pheniani nuk dha ndonjë përgjigje publike ndaj ofertës së presidentit amerikan, Donald Trump, për t’u takuar gjatë vizitës së tij të fundit në Azi.
Kim vizitoi disa objekte të prodhimit të materialeve dhe pajisjeve bërthamore. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve KCNA, ai vizitoi të enjten dy impiante, njëri prej të cilëve është hapur së fundmi, ndërsa tjetri është në proces zgjerimi.
Fotografitë e publikuara nga KCNA e shfaqin Kimin së bashku me zyrtarë të lartë ushtarakë mes pajisjeve që duken si centrifuga për pasurimin e uraniumit në nivel të përshtatshëm për përdorim ushtarak. Në disa prej sallave shihen edhe objekte që besohet se janë koka bërthamore.
Sipas KCNA-së, Kim vizitoi gjithashtu një bazë për prodhimin e pajisjeve bërthamore dhe një institut kërkimor. Vendndodhjet e këtyre objekteve nuk u bënë të ditura.
Koreja e Veriut ka ekspozuar në të kaluarën disa prej objekteve të saj për pasurimin e uraniumit, përfshirë kompleksin bërthamor në Yongbyon. Pheniani e ka zgjeruar gradualisht programin bërthamor, pavarësisht presionit ndërkombëtar dhe përpjekjeve të mëparshme për negociata me Shtetet e Bashkuara.
Gjatë vizitës, Kim ka thënë se forcimi i kapaciteteve bërthamore është i nevojshëm përballë, siç u shpreh ai, “kërcënimeve bërthamore në ndryshim” që vijnë nga rajoni.
Ai akuzoi gjithashtu Shtetet e Bashkuara se po nxisin aleatët e tyre në rajon të pajisen me nëndetëse bërthamore dhe se po ndajnë armë bërthamore me ta.
“Vërtetësia dhe realiteti i zotërimit të armëve bërthamore nga ana jonë, si dhe prirja për të forcuar kapacitetet bërthamore – si në cilësi ashtu edhe në sasi – janë realitete të pakthyeshme”, citoi KCNA të ketë thënë Kim.
Ministria e Mbrojtjes e Koresë së Jugut ka thënë se i ka marrë seriozisht deklaratat e Kimit për armët bërthamore taktike. Seuli theksoi se, në koordinim me Shtetet e Bashkuara, po ruan një nivel të lartë gatishmërie ushtarake përballë kërcënimit bërthamor të Phenianit.
Ndërkohë, Trumpi ka mohuar se Kimi e ka shpërfillur ftesën e tij për takim. Në një intervistë për “New York Post”, presidenti amerikan tha se “do të vijë koha” kur ai dhe Kim do të takohen.