Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë mbledhur të enjten për një samit në Bruksel, ku do të merret një vendim i rëndësishëm nëse do t'i jepen Ukrainës dhjetëra miliarda euro nga asete të ngrira ruse për të financuar nevojat e saj ushtarake dhe ekonomike.
Shumica e aseteve të Rusisë në BE me vlerë 210 miliardë euro mbahen nga organizata me seli në Belgjikë, Euroclear, dhe deri më tani Belgjika dhe disa anëtarë të tjerë të bllokut kanë thënë se janë kundër përdorimit të parave të gatshme.
Por, pa një rritje të financimit, financat e Ukrainës do të shterojnë brenda pak muajsh.
Një zyrtar i qeverisë evropiane është shprehur optimist se do të arrihet një marrëveshje. E Rusia e ka paralajmëruar BE-në kundër përdorimit të parave të saj.
Ajo ka ngritur një padi kundër Euroclear në një gjykatë të Moskës në përpjekje për të marrë paratë e saj mbrapsht.
Samiti i Brukselit vjen në një moment vendimtar në luftë dhe të gjithë sytë janë tek kryeministri belg, Bart De Wever, i cili i ka thënë parlamentit belg të enjten "Nuk kam parë ende asnjë tekst që do të më bindte të ndryshoja qëndrimin e Belgjikës".
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se një marrëveshje është më afër se kurrë për t'i dhënë fund luftës - e cila filloi me pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Zyrtarët amerikanë dhe rusë do të takohen në Miami këtë fundjavë për bisedime të mëtejshme mbi një plan paqeje, ka thënë një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë për agjencinë e lajmeve AFP.
Mendohet se i dërguari i Kremlinit, Kirill Dmitriev, do të flasë me të dërguarit e Trump, Steve Ëitkoff dhe Jared Kushner. Zyrtarët ukrainas do të shkojnë gjithashtu në SHBA.
Rusia ende nuk është përgjigjur ndaj propozimeve të fundit të paqes, por Kremlini ka theksuar se planet për një forcë shumëkombëshe të udhëhequr nga Evropa për Ukrainën, të mbështetur nga SHBA-ja, nuk do të ishin të pranueshme.
Presidenti Vladimir Putin i ka bërë të qarta ndjenjat e tij ndaj Evropës të mërkurën, kur ka thënë se kontinenti ishte në një gjendje "degradimi total" dhe se "derrkucat evropianë" - një përshkrim nënçmues i aleatëve evropianë të Ukrainës, shpresonin të përfitonin nga kolapsi i Rusisë.
Komisioni Evropian - krahu ekzekutiv i BE-së, ka propozuar t'i japë Kievit një hua prej rreth 90 miliardë eurosh gjatë dy vjetëve të ardhshme, nga 210 miliardë eurot e aseteve ruse që ndodhen në Evropë.
Kjo është rreth dy të tretat e 137 miliardë eurove që mendohet se i duhen Kievit për të kaluar vitet 2026 dhe 2027.
Zelensky – belgëve: Kërcënimet nga Rusia s’janë aq të frikshme kur s’e ke atë në kufi
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, u ka thënë liderëve evropianë se kërcënimet ligjore nga Rusia “nuk janë aq të frikshme sa kur Rusia është në kufijtë tuaj.
Ai ka thënë se nga pikëpamja morale, është e drejtë të përdoren fondet ruse kundër sulmeve të tyre ndaj një vendi sovran.
Ai e ka pranuar frikën për një veprim të mundshëm ligjor nga Rusia, por ka shtuar se "nuk është aq e frikshme sa kur Rusia është në kufijtë tuaj".
Vendimi i rëndësishëm për Ukrainën – Të gjithë sytë nga Belgjika
E gjithë vëmendja të enjten është drejtuar nga kryeministri i Belgjikës, Bart de Wever, në një takim të liderëve të Bashkimit Evropian në Bruksel, për të vemdosur për financimin e Ukrainës përmes aseteve të ngrira ruse.
Wever ka qenë shumë i hapur në lidhje me atë që ai i sheh si rreziqe që rrjedhin nga përdorimi i aseteve të ngrira ruse dhe po ashtu mjaft i hapur në lidhje me presionin që ai dhe qeveria e tij kanë përballuar nga aleatët evropianë dhe nga Rusia.
Shumica e aseteve të Rusisë në BE me vlerë 210 miliardë euro mbahen nga organizata me seli në Belgjikë, Euroclear, dhe deri më tani Belgjika dhe disa anëtarë të tjerë të bllokut kanë thënë se janë kundër përdorimit të tyre për ta ndihmuar Ukrainën që ta vazhdojë luftën.
Një sondazh i realizuar këtë javë ka treguar se Wever mbështetet nga publiku belg, me më shumë se 60% që mbështesnin kundërshtimin e tij ndaj planit të BE-së.
Më parë këtë muaj, ai shkaktoi trazira duke thënë në një aktivitet publik se ishte "iluzion i plotë" të besohej se Rusia do ta humbiste luftën, ndërsa u ankua për presion "të pabesueshëm" rreth kësaj çështjeje.
Gazeta La Libre e citoi atë të thoshte se “Moska na ka bërë të ditur se … Belgjika dhe unë personalisht do ta ndiejmë efektin (e sekuestrimit të aseteve ruse) përjetësisht”, duke shtuar se “Kjo duket si një kohë mjaft e gjatë”.
Por kjo nuk është e vetmja formë presioni që po përjeton Belgjika.
Politikanët belgë dhe drejtuesit e lartë financiarë kanë qenë subjekt i një fushate frikësimi të orkestruar nga inteligjenca ruse që synon të bindë vendin të bllokojë përdorimin e aseteve prej 185 miliardë eurosh për Ukrainën, sipas agjencive evropiane të inteligjencës.
Zyrtarët e sigurisë kanë thënë për The Guardian se ka pasur shënjestër të qëllimshme të figurave të rëndësishme në Euroclear.
Pavarësia e Polonisë rrezikohet nëse Ukraina kapitullon, thotë Tusk
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, ka deklaruar të enjten se pavarësia e shtetit të tij do të rrezikohej, nëse Ukrainë do të detyrohej të kapitullonte.
Ai u ka thënë gazetarëve gjatë një takimi të liderëve të BE-së në Bruksel lidhur me financimin e Ukrainës se udhëheqësit janë të angazhuar "në një proces shumë të vështirë" të përpjekjes për të arritur një marrëveshje, me një grup vendesh më kritike "teorikisht më të rrezikuara nga një lloj veprimi hakmarrës ose financiar nga Rusia", e që është kryesisht Belgjika.
Ai thotë se ata po kërkojnë mënyra për t'i bërë të gjitha vendet të ndihen rehat me atë që po propozohet.
Por ai ka shtuar se edhe Polonia do të rrezikohej nëse Ukraina do të detyrohej të kapitullonte, si pasojë e mosveprimeve nga Evropa.
"Pavarësia polake do të ishte nën kërcënim nëse rezulton se si pasojë e vendimeve të dobëta ose mungesës së veprimit nga Evropa, Ukraina do të detyrohej të dorëzohet nga lufta”, ka deklaruar ai.
“Dua që kjo të kuptohet më në fund nga të gjithë – jo vetëm nga kolegët tanë këtu në Evropë, por edhe nga të gjithë në Poloni, se kur flasim për domosdoshmërinë e mbështetjes së Ukrainës duke përdorur këto fonde ruse, kjo ndodh sepse e dimë shumë mirë se pavarësia e Ukrainës e largon rrezikun e agresionit ose luftës nga kufijtë polakë. Anasjelltas, rënia e Ukrainës si rezultat i kësaj lufte do të nënkuptonte një kërcënim të drejtpërdrejtë për Poloninë”, ka shtuar ai.
Rusia kërcënon me “hakmarrjen më të ashpër” nëse Evropa përdor asetet e saj për Ukrainën
Rusia ka paralajmëruar se do të përgjigjet me hakmarrjen "më të ashpër" nëse Evropa përdor asetet shtetërore ruse të ngrira për të mbështetur Ukrainën - një kërcënim që ka nxitur përçarjet brenda BE-së.
Presidenti rus, Vladimir Putin i ka cilësuar planet evropiane si "pirateri" dhe "vjedhje prone", ndërsa zyrtarët rusë kanë diskutuar hapur sekuestrimin e aseteve perëndimore të mbetura në Rusi nëse blloku vendos për asetet ruse.
Moska zyrtare ka eksploruar masa ligjore dhe rregullatorë që do të lehtësonin shtetëzimet e mëtejshme, duke u bazuar në një fushatë që tashmë u ka zhveshur kompanive të huaja miliarda dollarë që nga pushtimi i Ukrainës.
The Guardian ka zbuluar të mërkurën se politikanët belgë dhe zyrtarët e lartë të financave janë shënjestruar gjithashtu nga një fushatë frikësimi e orkestruar nga inteligjenca ruse, që synon të ushtrojë presion mbi Brukselin për të bllokuar përdorimin e 185 miliardë eurove në asetet e ngrira për të mbështetur Ukrainën.
Kërcënimet e Rusisë kanë rënë në mënyrë të pabarabartë në të gjithë bllokun. Belgjika, Italia dhe Austria - vende me banka, kompani dhe infrastrukturë financiare ende thellësisht të ekspozuara ndaj Rusisë - kanë shprehur shqetësim në rritje se hakmarrja do t'i godiste ato të parat dhe më rëndë.
Kompanitë perëndimore ende kanë rreth 127 miliardë dollarë asete në Rusi, sipas Institutit të Shkollës së Ekonomisë në Kiev, ndërsa më shumë se 2,000 firma të huaja vazhdojnë të operojnë në vend.
Moska gjithashtu kontrollon shuma të mëdha të mbajtura në të ashtuquajturat llogari të tipit C, ku dividentët dhe të ardhurat nga investimet që u detyrohen investitorëve perëndimorë janë të ngrira.
Media ruse e biznesit RBK ka raportuar se Kremlini mund t'i ridrejtojë shpejt këto fonde në buxhetin e shtetit nëse Evropa vendos në favor të Ukrainës duke i shrytëzuar asetet ruse.