Trepça e ka regjistruar fitoren e tetë rresht në Superligën e Kosovës në basketboll dhe ka bërë tjetër shkëputje në tabelë. Të dielën në kryendeshjen e xhiros së 17-të të elitës së basketbollit kosovar, kampionia Trepça e mposhti me rezultatin 90:81 nënkampionin Bashkimin, në “Minatorin” e mbushur me shikues.
Tani Trepça në pozitën e parë me 31 pikë, i ka 14 fitore dhe tri humbje. Bashkimi pësoi disfatën e gjashtë të sezonit, ndërsa i ka edhe 11 fitore. I ka 28 pikë.
Pjesa e parë ishte e niveluar. Çereku i parë u takoi mitrovicasve 28:19, por Bashkimi u kthye më pas në periudhën e dytë, të cilën e fitoi 25:19.
Shkëputja e “xehetarëve” u bë në çerekun e tretë. Trepça e fitoi 26:17 periudhën e tretë, ndërsa e katërta u takoi prizrenasve, 20:17.
Për Bashkimin ishte humbja e parë pas dy fitoreve të njëpasnjëshme në elitën e basketbollit kosovar.
Akili Vining ishte i pandalshëm te skuadra e Trepçës dhe i kishte statistikat më të mira në fitore. I realizoi 23 pikë, ndërsa kontribuoi edhe me nëntë asistime e dy kërcime. Lojë shumë të mirë pati edhe Mikaile Tmushiq me 16 pikë, gjashtë kërcime e dy asistime. 16 pikë i realizoi edhe Kenny Hasbrouck, ndërsa Mustapha Amzil i shtoi 14 të tjera.
Te Bashkimi statistikat më të mira i pati Tj Bickerstaff me tetë pikë e po aq kërcime.
Shanon shorter i kishte 13 pikë, shtatë kërcime e një asistim, kurse 13 pikë i shënoi edhe Isaiah Cousins, por të pamjaftueshme për ta shmangur humbjen.
Për Trepçën e udhëhequr nga trajneri Adis Beqiragiq, është vazhdimi i formës së shkëlqyer që e nisi në fundin e vitit të kaluar. Trepça në mesjavë e siguroi avancimin në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës, pasi e eliminoi Golden Eagle Yllin.
Në gjysmëfinale të Kupës së Kosovës avancoi edhe Bashkimi i drejtuar nga trajneri Igor Jovoviq. Bashkimi i fitoi të dyja ndeshjet çerekfinale ndaj GO+ Pejës.