Trepçës nuk po i ndalen humbjet në palestrën “Minatori”. Pasi në xhiron e parë e mposhti Peja në arenën buzë lumit Ibër, kampionen në fuqi të dielën në shtëpinë e saj e mposhti edhe Bashkimi i Prizrenit.
Derbin e xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll, Bashkimi e fitoi me rezultatin bindës, 93:79. Për Bashkimin, që ka paraqitur kandidaturë të hershme për titull të kampionit, është fitorja e tretë rresht. Trepça tani ka një fitore e dy humbje. Edhe fitoren në fakt e arriti në “Minatori”, në xhiron e dytë ndaj Vëllaznimit të Gjakovës. Vëllaznimi ishte vendas, por ndeshja ishte luajtur në Mitrovicë. Në xhiron e parë Trepça humbi nga Peja.
Derbi i xhiros së tretë nuk mblodhi shumë shikues, ndërsa u vendos në çerekun e dytë. Pas epërsisë prej një pikë, 19:18 në çerekun e parë, prizrenasit bënë shkëputje të madhe në çerekun e dytë që përfundoi 33:18.
Vendasit u munduan të reagojnë në çerekun e tretë, por Bashkimi u konsolidua dhe mbajti epërsinë. E njëjta pamje ishte edhe në çerekun e katërt.
TJ Bickerstaff shkëlqeu te Bashkimi me 15 pikë e plot 15 kërcime. Ai i kishte edhe pesë asistime. Kyan Anderson ndeshjen e përfundoi me 14 pikë e katër asistime. Isaiah Cousins i kishte 18 pikë e shtatë kërcime, ndërsa Jeremiah Bailey i shtoi 11 pikë, shtatë kërcime e katër asistime. Jan Palokaj e ndihmoi fitoren e Bashkimit me 11 pikë e tri kërcime, ndërsa shifrat e Valon Bunjakut ishin nëntë pikë, katër kërcime e katër asistime.
Te Trepça paraqitjen më të mirë e kishte qendra Chad Brown, që realizoi 19 pikë e 13 kërcime. Mikaile Tmushiq i kishte 18 pikë e pesë kërcime, ndërsa mungoi kontributi më i madh i të tjerëve.
Trepça e Bashkimi po paraqiten edhe në FIBA Europe Cup. Në mesjavë të dy skuadrat pësuan humbje.
Bashkimi po fiton bindshëm ndaj Trepçës
Trepça e Bashkimi po përballen në “Minatori” në derbin e xhiros së tretë të Superligës së Kosovës në basketboll.
Tashmë ka përfunduar pjesa e parë, ndërsa prizrenasit janë në epërsi bindëse. 52:36 për Bashkimin është rezultati pas pjesës së parë.
Çereku i parë përfundoi 19:18 për Bashkimin, skuadër e cila çerekun e dytë e fitoi 33:18.