Para Forumit të Gruas, Paqes dhe Sigurisë është protestuar të martën me kërkesën që të shpallet gjendja emergjente menjëherë. Protesta e së martës vjen pas vrasjes së një gruaje në Pejë, e që ndodhi vetëm katër ditë pas një tjetër vrasjeje në Ferizaj.
Të martën u vra një grua në Pejë. I arrestuar për rastin është bashkëshorti i saj. E të premten në Ferizaj një grua tjetër u vra me armë zjarri, nga ish-bashkëshorti.
Në një aksion para ambienteve ku po mbahet ky forum, është protestuar me thirrjen që të shpallet gjendje emergjente menjëherë.
Liridona Sijarina nga Qendra Kosova për Studime Gjinore ka thënë se kanë kërkuar që të hyjnë brenda Forumit e të përballen me presidenten dhe t’i tregojnë se duhet në mënyrë urgjente të thirret mbledhja e Këshillit të sigurisë e të shpallet gjendje emergjente.
VIDEO:
“Megjithatë, ajo që ne pamë ishte një qasje e tmerrshme e shtetit. Na u mohua hyrja dhe u trajtuam si kriminelë. Ajo që na u tha prej sigurisë dhe policisë është se ne paraqesim rrezik për sigurinë dhe nuk na lanë brenda dhe na ndoqën deri te dalja duke na trajtuar si duhet të trajtohen burrat vrasës dhe dhunues të grave. Kjo tregon fytyrën e shtetit që na trajton neve si aktivistë si rrezik e kjo është shqetësuese”, ka thënë ajo për gazetarët.
Sijarina i ka bërë thirrje shtetit që “të mos merret me aktiviste, por me problemet e shoqërisë”.
VIDEO: