Arbëri

Shala: Thaçi ishte nën presion prandaj kishte dyshime për Konferencën e Rambujesë

Blerim Shala

Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe gazetari-aktivisti Blerim Shala kanë zbardhur detaje nga përgatitjet për Konferencën e Rambujesë, duke theksuar se lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vepruar nën presion të madh nga komandantët e zonave dhe se kjo ndikoi në dyshimet e tij ndaj konferencës

Surroi rrëfeu se gjatë diskutimeve për qeverinë e përkohshme, Thaçi ishte skeptik dhe vendosi të mos merrte pjesë në një takim kyç me zyrtarët amerikanë, përfshirë Madeleine Albright, James Dobbins dhe Richard Holbrooke. Surroi ka thënë se në atë moment u angazhua personalisht për të siguruar që dokumenti të pranohej dhe u nënshkrua nga pesë persona, duke përfshirë Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen, Thaçin, Surroin dhe Blerim Shalën.

Shala shtoi se presioni ka ardhur kryesisht nga përfaqësues lokalë të UÇK-së dhe spekulime të ndryshme që qarkullonin rreth marrëveshjes, duke e bërë Thaçin të dyshojë për suksesin e konferencës. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Madeleine Albrightit, e cila sipas tij ishte përkushtuar maksimalisht për të mos i lënë palët shqiptare vetëm dhe për të siguruar finalizimin e marrëveshjes.

“Mendoj që ka qenë në presion të madh (Thaçi)... prej UÇK-së, prej përfaqësuesve lokalë të UÇK-së, pastaj ka pasur spekulime të llojllojshme, të cilat e kemi ndi edhe unë edhe ti. Pastaj u dashke me i konsultu Hillin dhe ekipin e zonjës Albright, a janë të vërteta jo, se spekulimet e tilla që kjo është veç konferencë provizore, e cila me gjasë ka përhapë Adem Demaçi, ndoshta edhe dikush nga UÇK-ja, se kjo është konferencë provizore, amerikanët s’janë të interesuar të ketë sukses, duhet të ketë konferencë tjetër në Amerikë, dhe atje do të vendoset”, rrëfeu Shala. 


Lexo përditësimet tjera
Blerim Shala

Blerim Shala në PIKË me Veton Surroin (IV)