Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Java që u parapriu bombardimeve të NATO-s ndaj Jugosllavisë

Marreveshja e Rambujes

Para nisjes së bombardimeve, negociatat në Rambuje dështuan pasi pala serbe refuzoi ta nënshkruajë marrëveshjen që parashihte tërheqjen e forcave nga Kosova dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare. Në periudhën mes kësaj konference dhe nisjes së bombardimeve, ishte një javë e tërë që diplomatë të huaj tentuan ta bindnin Serbinë të tërhiqej

Premtimin e dhënë në Rambuje, Shtetet e Bashkuara e përmbushën 6 ditë pasi delegacioni kosovar e kishte nënshkruar marrëveshjen. 

Më 18 mars 1999, Ibrahim Rugova, Hashim Thaçi, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi firmosën dokumentin që parashihte largimin e forcave serbe e jugosllave nga Kosova, vendosjen e KFOR-it dhe një proces trevjeçar drejt një marrëveshjeje finale të bazuar në vullnetin e qytetarëve. 
Pala serbe, e udhëhequr nga presidenti Millan Millutinoviq, refuzoi ta nënshkruante atë.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Pas dështimit të negociatave, i dërguari amerikan, Christopher Hill, paralajmëroi se situata po futej në një fazë vendimtare.

“Sekretarja Albright është në diskutime të vazhdueshme me kolegët e saj dhe do të duhet ta vazhdojmë nga aty, por dua të them se po arrijmë në një udhëkryq shumë kritik”, pati thënë Hill.

Një ditë më pas, më 20 mars, rreth 2.000 vëzhgues të OSBE-së u larguan nga Kosova drejt Maqedonisë, ndërsa luftimet vazhdonin.

Në përpjekjen e fundit diplomatike, më 22 mars, sekretarja e Shtetit, Madeline Albright, njoftoi se Richard Holbrooke ishte nisur për në Beograd për ta bindur Sllobodan Millosheviqin të pranojë marrëveshjen.

“Po mbaron koha. Ne kemi bërë këtë përpjekje të fundit, sepse besojmë që është e rëndësishme, pasi po vendosim amerikanët në një forcë të NATO-s, që ne i kemi bërë të gjitha përpjekjet”, pati thënë ajo.

Më 23 mars, Holbrooke njoftoi nga Beogradi se ia ka paraqitur Millosheviqit kushtin për të shmangur bombardimet: armëpushim dhe pranimin e një force të udhëhequr nga NATO-ja në Kosovë. 

Në një paraqitje të përbashkët me sekretarin e NATO-s, Javier Solana, ai konfirmoi se misioni nuk kishte dhënë rezultat dhe se vendimi tashmë i takonte NATO-s.

“Të provojmë të bindim autoritetet jugosllave që paqja është më e mirë se alternativat që i kemi përballë. Ne u përpoqëm pa ndonjë sukses të madh, të paktën deri tani”, pati thënë Holbrooke. 

Të nesërmen, në një adresim para popullit amerikan, presidenti i atëhershëm i SHBA-së Bill Clinton njoftoi se forcat amerikane i janë bashkëngjitur sulmit ajror të NATO-s kundër caqeve jugosllave. 
Clinton theksoi se mosreagimi ndërkombëtar nënkupton më shumë vrasje e vuajtje dhe se ndërhyrja u bë pasi pala kosovare pranoi marrëveshjen për paqe.

“Tash për tash, vendosmëria jonë është shpresa e vetme e popullit të Kosovës, që të mund të jetojnë në shtetin e tyre, pa pasur frikë për jetët e tyre. Mbajeni mend që ne i kërkuam atyre të pranojnë paqen, ata e bënë; ne i kërkuam të premtojnë t’i dorëzojnë armët, ata u pajtuan. Ne Shtetet e Bashkuara dhe 18 shtetet e tjera të NATO-s u zotuam se do t’i qëndronim pranë nëse ata bëjnë gjënë e duhur. Nuk do t’i zhgënjejmë tani”, pati thënë Clinton në mbrëmjen e 24 marsit, në njoftimin për nisjen e sulmeve.

Fushata ajrore e NATO-s, e udhëhequr nga gjenerali amerikan Wesley Clark, zgjati 78 ditë dhe përfundoi më 10 qershor me Marrëveshjen e Kumanovës, që detyroi tërheqjen e forcave jugosllave nga Kosova.

Gjatë operacionit u realizuan mbi 38 mijë fluturime, prej tyre më shumë se 10 mijë me sulme ajrore, ndërsa u hodhën mbi 26 mijë projektilë. Shtetet e Bashkuara mbajtën peshën kryesore të operacionit, me mbi 60 për qind të fluturimeve dhe mbi 80 për qind të goditjeve.