Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Shala: Thaçi u ofroi dorëheqjen ndërkombëtarëve pas publikimit të raportit të Dick Martyt

Blerim Shala

Gazetari dhe aktivisti Blerim Shala ka zbuluar se asokohe si kryeministër, Hashim Thaçi, kishte ofruar dorëheqjen para përfaqësuesve ndërkombëtarë pas publikimit të raportit të Dick Marty në vitin 2011. 
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, Shala ka thënë se Thaçi kishte thirrur ambasadorët e vendeve të Quintit dhe i kishte pyetur drejtpërdrejt nëse duhej të largohej nga posti apo të vazhdonte detyrën.

Sipas tij, përgjigjja kishte qenë e prerë nga diplomati amerikan Christopher Dell, i cili i kishte thënë: “Jo, ti duhet të qëndrosh”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Shala theksoi se presioni ndaj Kosovës në atë periudhë ishte jashtëzakonisht i madh, pasi raporti i Dick Martyt përmbante akuza të rënda për trafikim organesh nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës, të cilat u pasqyruan gjerësisht në mediat ndërkombëtare.

“Po edhe Hashim Thaçi, në bazë të fjalëve që m’i ka thënë, kur i ka thirrë ambasadorët e Grupit të Kontaktit, gjegjësisht Quintit, se atëherë Rusia më s’ka qenë, ka qenë këto pranishme dhe është sot e kësaj dite, por jo me atë lojë që e ka pasë në Grupin e Kontaktit. I ka thirrë, e u ka thënë mbas këtij raporti të Dick Martyt, a duhet me dhënë dorëheqje, a duhet me ndejtë, a çka duhet me ba. Por i pari Chirs Delli i ka thënë, ‘Jo. Ti duhet me ndejt’. Tash ajo ka qenë pak problematike, sepse normalisht presioni ka qenë shumë i madh, sepse raporti i Dick Martyt është tepër i rëndë në substancë që thotë shqiptarët, UÇK-ja, kanë qenë të angazhuar në trafikim me organe njerëzore, sepse kjo ishte më e rënda e mundshme”, rrëfeu Shala.

Shala shtoi se një reagim më proaktiv ndaj raportit, përfshirë transparencën e plotë dhe kërkesën për hetime të menjëhershme ndërkombëtare, mund të kishte zbutur ndikimin negativ që ky raport pati mbi imazhin e Kosovës.

“Ne e kemi humb momentum, se ndoshta dashtë me thanë prej ditës së parë edhe Dick Martyt me ardhë në Kosovë, ‘çka po don prej nesh, qe ku jemi, nuk kemi frikë’, sepse kjo është akuzë me të vërtet e kotë”, shtoi Shala.

E Surroi tregoi se paralelisht me këtë ndodhi edhe procesi negociator ku sipas vlerësimeve të tij, Kosova kishte hyrë e papërgatitur në procesin negociator me Serbinë.

“Ishte një proces krejtësisht i papërgatitur nga ana jonë, nga ana e Kosovës, hyjmë krejtësisht të papërgatitur në proces negociator, pranojmë prapakthim dhe kësaj mund t’ia atribuojmë mospërgatitjen, mosnjohurinë, etj., moskonsultimin”, u shpreh Surroi.

 


 

Lexo përditësimet tjera
Blerim Shala

Blerim Shala në PIKË me Veton Surroin (IX)

Në episodin e 49-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e...