Arbëri

Gjykata që u ngrit nën presion e që s’e zhbën presioni

Hashim Thaci - Rexhep Selimi

Një akuzë e lansuar në 2010-n, që shkaktoi shok në Prishtinë dhe i pushtoi mediat gjithandej globit, thoshte se gjatë luftës në Kosovë ishin vrarë serbë me qëllimin për t’ua marrë organet e për t’i trafikuar. Pesha e saj bëri që mbi Kosovën të rëndojë presioni për ta themeluar një gjykatë. Ajo u themelua dhe u vendos në Hagë. Por, më pas u bënë përpjekje për ta zhbërë. Gjykata mbeti. Shqiptoi disa dënime dhe ndodhet para dhënies së epilogut në rastin më të madh: atij ndaj Thaçit dhe të tjerëve. Gjykata është vënë në thumb të akuzave për anshmëri dhe për pranim të provave të fabrikuara nga Serbia. Protestë kundër saj u zhvillua edhe në Prishtinë

Në temperaturë tropikale mijëra qytetarë të Kosovës protestuan të enjten kundër një gjykate, presioni ndërkombëtar për formimin e së cilës nisi në një ditë të ftohtë dimri në fund të 2010-s, kur kosovarët do t’i ngrinte një titull balline i së përditshmes britanike The Guardian: “Kryeministri i Kosovës ‘kontrollon tregtinë e paligjshme të organeve’”. 

Në Kosovë, ku Hashim Thaçi e drejtonte Qeverinë, akuzat dukeshin si skenarë të filmave fantastikoshkencorë.

Britanikja publikoi një raport të gjerë, të bazuar në draftin e një raporti të raportuesit të Këshillit të Evropës, senatorit zviceran Dick Marty, në të cilin hidheshin pretendime për vrasje robërish gjatë luftës dhe menjëherë pas lufte në Kosovë, përgjithësisht me plumb në kokë, para se të operoheshin për t’u marrë një a më shumë organe. Përgjegjësinë për këtë e kishte hedhur mbi atë që i ishte referuar si “Grupi i Drenicës”. E Thaçit ia kishte dhënë epitetin e kumbarës së grupit.

“Mësuam se bëhej fjalë kryesisht për tregti ‘veshkash të marra nga kufoma’, domethënë për marrje veshkash pas vdekjes, dhe jo për një seri procedurash kirurgjikale të sofistikuara, që do të kërkonin kushte klinike të kontrolluara dhe, për shembull, përdorim intensiv anestezikësh”, thuhej në dokumentin, që pas pak kohësh do ta merrte vulën e Këshillit të Evropës.

Akuza e llahtarshme që shkaktoi shok në Prishtinë, i pushtoi mediat gjithandej globit.

Thaçi paralajmëroi padi për shpifje kundër senatorit Marty. Padia nuk u bë, sepse raportuesi gëzonte imunitet nga ndjekja.

E, kur u bë një dekadë prej lajmit shokues, Thaçi u përball me akuzat. Në nëntorin e 2020-s ai dha dorëheqje nga pozita e Presidentit të Shtetit dhe u nis për në Hagë, ku e ka selinë Gjykata Speciale, e cila është krijuar ndërkohë dhe është mveshur me mandat për t’i trajtuar pretendimet që i përmban raporti i senatorit zviceran, por edhe për të hetuar e gjykuar përtej këtyre pretendimeve.

Raporti vuri në thumb personalitete të larta të UÇK-së, më kryesori nga të cilët është Thaçi. Të tjerë që ua ka faturuar përgjegjësinë për krime lufte janë edhe Xhavit Haliti, Kadri Veseli, Azem Syla e Fatmir Limaj.

Edhe Veseli ka udhëtuar në Hagë, të njëjtën ditë me Thaçin. Ai ka qenë kryeparlamentar në dy mandate dhe në kohën kur është akuzuar ishte kryetar i Partisë Demokratike, forcë opozitare më e madhja në vend, por që ishte parti kryesore në kohën kur u bë Specialja. Në Hagë prej atëherë ndodhen edhe Rexhep Selimi, që ishte kryetar i grupit parlamentar të subjektit më të madh politik në Kosovë – Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe Jakup Krasniqi, që ka qenë kryeparlamentar në dy legjislatura.

Të katërtit kanë qenë eksponentë të Ushtrisë Çlirimtare, gueriles që dy dekada e gjysmë më parë i ishte përgjigjur me armë regjimit të Sllobodan Millosheviqit. Rreth 250 ish-pjesëtarë të kësaj guerileje janë intervistuar në cilësinë e të dyshuarve për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërkaq i pari që është arrestuar, është Salih Mustafa, i cili është dënuar me vendim të formës së prerë.
Kosova qe detyruar ta ngrejë Specialen, pas presionit ndërkombëtar për t’i zbardhur akuzat e listuara nga raportuesi i Këshillit të Evropës.

Më 7 janar të 2011-s, Raporti qe votuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. E në shtator tё po atij viti, Bashkimi Evropian e formoi Task-forcën Hetimore Speciale (SIFT) pёr kryerjen e një hetimi tё pavarur, rreth pretendimeve tё ngritura nё raport dhe krimeve tё tjera nё lidhje me to. Nё verёn e 2014-s, SIFT-i bëri të ditur se ekzistonin prova tё mjaftueshme pёr ngritje aktakuzash. Por, nuk kishin ku ta paraqisnin një të tillë, meqë nuk kishte gjykatë.

Po në këtë vit, nëpërmjet një letërkëmbimi midis Presidentes sё Kosovёs dhe Pёrfaqёsueses sё Lartё tё Bashkimit Evropian pёr Politikё tё Jashtme dhe tё Sigurisё, e që e ka statusin e marrëveshjes ndërkombëtare, u arrit marrëveshja mbi modalitetet pёr procedimin e aktakuzave të mundshme. 

Në gusht të 2015-s, Kuvendi në të cilin shumicën e bënin PDK-ja dhe LDK-ja, miratoi amendamente kushtetuese dhe Ligjin për Specialen, në bazë të të cilit kjo gjykatë e përfaqëson ҫdo nivel tё sistemit tё gjykatave nё Kosovё – Gjykatёn Themelore, Gjykatёn e Apelit, Gjykatёn Supreme dhe Gjykatёn Kushtetuese. Gjykata që formalisht është e Kosovës, përbëhet nga ndërkombëtarë dhe e ka selinë në Hagë të Holandës.

Procesi i krijimit nuk ishte i lehtë. Fare pak vërejtje të palës kosovare zunë vend në draftin final të amendamenteve dhe Projektligjit për gjykatën, dokumente që duhej negociuar me Brukselin zyrtar. 
Pas procesit të dytë të negociatave me një delegacion të Bashkimit Evropian, Ekipi Teknik që e drejtonte ministri i Drejtësisë i asaj kohe, Hajredin Kuçi, i listoi 11 çështje që duhej të prekeshin në Projektligj. Për to u kërkua vendimmarrje nga Grupi Politik, të cilin e drejtonte presidentja e asaj kohe, Atifete Jahjaga, nën patronatin e së cilës ishte udhëhequr procesi i negocimit të pakos ligjore për Specialen. Në këtë grup ishin edhe kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa, kryeparlamentari i asaj legjislature, Kadri Veseli dhe Hashim Thaçi, që atëkohë ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme. Grupi Politik e pati pranuar shumicën e përmbajtjes së sponsorizuar nga BE-ja, e cila nga Ekipi Teknik qe cilësuar si e dëmshme për sovranitetin dhe imazhin e Kosovës.

BE-ja i ka prirë bashkësisë ndërkombëtare, në mësymjen për ta krijuar gjykatën. Dhe është mbështetur nga ato që njihen shtete kontribuuese, siç është Kanadaja, Norvegjia, Zvicra, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara tё Amerikёs.

Vënia për votim e amendamenteve kushtetuese e edhe ajo e ligjit, qe shtyrë disa herë. Ndërkaq, kur për herë të parë u ftuan deputetët që të votonin, këto dokumente nuk kishin kaluar. Çereku i deputetëve të PDK-së ishte bërë sebep që të mos kalonin amendamentet kushtetuese, me të cilat do t’i hapej rrugë themelimit të Speciales. Meqë opozita, e dominuar nga LVV-ja, ishte kundër, pa votat e PDK-së nuk mund të bëheshin ndryshimet kushtetuese. Thaçi, që atëkohë e drejtonte këtë subjekt politik, i akuzoi deputetët e partisë së tij se i kishin bërë dëm të madh Kosovës. 

“Dua të vlerësoj me përgjegjësinë më të lartë, edhe morale e edhe politike e kombëtare se me votimin kundër që e pamundëson themelimin e kësaj gjykate, Kuvendi i Kosovës apo ata që kanë votuar kundër, e kanë bërë dëmin më të madh aktualisht që mund t’ia bëjë dikush shtetit të Kosovës dhe lirisht mund të them se është bërë një shërbim për oponentët e pavarësisë së Kosovës, me ose pa vetëdije”, pati thënë Thaçi. “Ne do të procedojmë përsëri ... dhe deputetët kanë legjitimitet qytetar për të marrë vendime në interes të shtetit dhe jo të interesave politike ditore, flas për deputetët e çdo subjekti politik që kanë votuar kundër”.

Jo shumë kohë më vonë, u vunë sërish për votim amendamentet. Ishte vera e 2015-s kur ato kaluan me votë. 

Pas kësaj rrethane, nëpërmjet një marrëveshjeje ndërkombëtare midis Kosovës dhe Holandës, gjykata u vendos në Hagë, meqë amendamentet e votuara e edhe ligji përcaktonin që ajo ta kishte edhe një seli jashtë vendi.

Kësisoj, drejtuesit e trupës që do t’i hetonte dhe gjykonte pretendimet e Raportit Marty, nuk ndodheshin në Kosovë.

Një haber e kishte lënë në Prishtinë kryeprokurori i asaj kohe i Speciales, David Schwendiman, në 2016-n. Në vizitën e parë bërë Kosovës prej se ishte emëruar në krye të organit të akuzës, ai foli për veprime të shpejta. Takoi përfaqësues të lartë shtetërorë, zyrtarë të gjyqësorit, si dhe përfaqësues të bashkësisë ndërkombëtare. Por, jo edhe Thaçin e Veselin, ani se atëkohë i pari ishte president, e i dyti kryeparlamentar. Isa Mustafën që ishte kryeministër, e kishte takuar.

Ky qe sinjal se “të mëdhenjtë” e luftës do të ndiqen. Dhe mesazhin për këtë e pati përforcuar edhe kryetarja e gjykatës, Ekaterina Trendafilova, e cila e vizitoi Kosovën dhe të njëjtit nuk i takoi. 
Kur gjykata u konsolidua dhe pritej të shpalleshin aktakuzat e para, u bë orvatja politike që ajo të pezullohej. 

Thaçi, në cilësinë e presidentit, nisi një diskurs të fortë kundër saj, dhe kjo u pasua me një peticion të shoqatave të dala nga lufta dhe mori seriozitet më vonë kur deputetë të PDK-së, subjekt që për gati dy dekada është drejtuar nga Thaçi e më pas nga Veseli, iniciuan nismë ligjore për shfuqizimin e ligjit. Ata u mbështetën edhe nga deputetë të AAK-së së Ramush Haradinajt, e edhe nga deputetë të Nismës, parti që drejtohet nga Fatmir Limaj – të dy eksponentët politikë ishin komandantë në luftë dhe u përballën me akuzën për krime lufte nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për Ish-Jugosllavinë, por u shpallën të pafajshëm.

Me të nisur shkurti i 2018-s, pushteti i asaj kohe përfundimisht qe zmbrapsur nga iniciativa.
Liderët politikë u dorëzuan pas presionit ndërkombëtar. Ambasadori amerikan që ishte atëkohë me mision në Kosovë, Greg Delawie, e pati dhënë këtë mesazh: “Deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj, përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra. Ata e dinë këtë, sepse ua kemi thënë”.

Atëkohë, Ambasada Amerikane refuzoi ta pajiste me vizë Haradinajn që ishte kryeministër, duke ia pamundësuar pjesëmarrjen në një ceremoni në shtetin Iowa.

Ndërkaq, vendet e QUINT-it e shprehën pritjen që “të gjitha shtetet të ndjekin penalisht, ose të bashkëpunojnë në plotni, në gjykimin e krimeve të supozuara, të kryera në Kosovë”.
Më pas, Thaçi kërkoi edhe nga Departamenti i Shtetit që Specialja të zhvendosej në Kosovë dhe që ajo të kishte në mandat ndjekjen dhe gjykimin edhe të krimeve të bëra nga serbët. Mori përgjigje negative.

“Shfuqizimi ose minimi i punës, strukturës ose lokacionit të Dhomave të Specializuara ose Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në çfarëdo mënyre do ta dëmtonte seriozisht kredibilitetin e Kosovës në botë; pretendimet do të mbeteshin njollë e përhershme mbi Kosovën; do të vihej në dyshim përkushtimi i Kosovës në sundimin e ligjit; mohohet drejtësia për viktimat; dhe e mjegullon të ardhmen e Kosovës si anëtare e familjes Euro-Atlantike dhe komunitetit ndërkombëtar”, shkruan në letrën që në fillim të 2020-s, Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ia pati kthyer Thaçit. “Operimi i Dhomave të Specializuara, sipas formatit aktual, është mënyra më e mirë që Kosova ta përmbyllë këtë kapitull të historisë së saj dhe për t’ia mundësuar Shteteve të Bashkuara t’i kundërshtojnë argumentet e mohuesve të shtetit të Kosovës…”.

Dhe, një përpjekje tjetër është bërë kur Specialja i ka mbushur pesë vjet prej kur është themeluar dhe Thaçi e një numër zyrtarësh shtetërorë të vijës së luftës, konsideronin se ajo e kishte përmbyllur mandatin kohor, tek i referoheshin një neni të amendamenteve kushtetuese. 

Mbështetur në amendamentin 24 të Kushtetutës, mandati i Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar – emërtim ky zyrtar për Gjykatën Speciale – do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare, përveç nëse njoftimi i përfundimit të mandatit bëhet më herët. Në të njëjtin amendament theksohet se në mungesë të një njoftimi të këtillë, mandati i Speciales do të vazhdojë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet në përputhje me Ligjin Nr. 04/L-274 dhe në konsultim me Qeverinë. 

E, Ligji që i referohet amendamenti, e ratifikon marrëveshjen ndërkombëtare mes Kosovës dhe BE-së, mbi misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë, që për instrumente e ka letërkëmbimin mes Presidentit të Kosovës dhe Përfaqësueses së lartë të BE-së për politikë të jashtme dhe siguri. Mes tjerash, në këtë letërkëmbim konfirmohet se puna e SIFT-it, pararendëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, “do të vazhdojë deri në kohën kur Kosova të njoftohet nga Këshilli i Bashkimit Evropian që hetimet kanë përfunduar, ose që procedimet që rrjedhin nga ato hetime kanë përfunduar”.
Nismat, që për synim e kishin mbylljen e gjykatës, bënë që organi i akuzës të tregonte se kishte një propozim-aktakuzë kundër Thaçit e Veselit. Prokurori i Specializuar e gjykoi të domosdoshme nxjerrjen e kësaj informate, pasi tha se Thaçi e Veseli po bënin përpjekje të përsëritura për pengimin dhe sabotimin e punës së Speciales.

Më pas, aktakuza u ngrit. Ajo i akuzon ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi – për vrasje, trajtim mizor, zhdukje me forcë të personave në periudhën mars 1998-shtator 1999. 

Në këtë dokument 66-faqësh të Speciales nuk ndodhet edhe akuza që e kishte shokuar botën – ajo për vrasje të serbëve me qëllimin për t’ua marrë organet e për t’i trafikuar ato.

Përkundër kësaj, procesi gjyqësor është zhvilluar për rreth pesë vjet të tjerë rresht. E, përgjatë këtyre, mbrojtja e të akuzuarve ngriti dyshime në gjykatë, meqë gjyqtarët u bënë pyetje orientuese dëshmitarëve dhe në proces i pranuan si prova edhe ato të dërguara nga Serbia.

Këtë muaj, ministrja në detyrë e Drejtësisë tha se, me veprimet e saj, Specialja e ka humbur legjitimitetin kushtetues, ndërkaq qytetarët që i sfiduan temperaturat në protestën e së enjtes, me moton “kundër padrejtësisë, kërkuan që Specialja të mbyllet.