Në episodin e 41-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është gazetari e aktivisti politik Blerim Shala (IV).
Pse Demaçi s’e përkrahu Konferencën e Rambujesë?
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe gazetari Blerim Shala kanë diskutuar për qëndrimin e ish-të burgosurit politik Adem Demaçi për Konferencën e Rambujesë.
Sipas Surroit, Demaçi kishte një oscilim të madh gjatë periudhës përpara konferencës dhe refuzoi të merrte rolin e shefit politik të UÇK-së, duke vendosur të mos merrte pjesë aktive në negociata.
Shala ndërkohë ka thënë se kishte një rivalitet mes të burgosurve politikë të asaj kohe.
“Ai kishte një vullnet dhe pasion të jashtëzakonshëm, por nuk kuptoi momentumin e luftës dhe vendosi të mos shkojë në Rambuje”, tregoi Shala.
Megjithatë, Surroi dhe Shala treguan se delegacioni shqiptar arriti të ruajë marrëveshjen dhe të siguronte pranimin e saj për pak, pavarësisht dyshimeve dhe shqetësimeve që lindën nga mosangazhimi i Demaçit.
Shala vuri në dukje gjithashtu rolin vendimtar të profesor Rexhep Qosjes dhe të pjesëtarëve të tjerë të delegacionit, të cilët këmbëngulën që marrëveshja të pranohej.
Surroi: Marrëveshja e Rambujesë ishte një fije floku afër dështimit
Publicisti Veton Surroi ka rrëfyer në podcastin PIKË se arritja e Marrëveshjes së Rambujesë ishte shumë pranë dështimit dhe se vetëm përkushtimi i aktorëve kryesorë e shpëtoi procesin.
Ai ka thënë se delegacioni shqiptar ishte nën presion të madh dhe se në momente kritike u krijua një rrëmujë gjatë përgatitjes së dokumentit final.
“Kemi qenë domethanë… na ka ndarë një fije floku prej dështimit”, ka thënë Surroi, duke përshkruar tensionin e lartë që kishte mbretëruar në negociata.
Gazetari dhe aktivisti Blerim Shala shtoi se, falë insistimit të Christopher Hillit dhe bashkëpunimit të të gjithëve, u arrit të shkruhej dhe miratohej komunikata përfundimtare.
Ai përmendi gjithashtu rolin vendimtar të Madeleine Albrightit, e cila sipas Shalës, ishte përkushtuar maksimalisht për të mbështetur delegacionin shqiptar dhe për të siguruar pranimin e marrëveshjes.
Shala: Thaçi ishte nën presion prandaj kishte dyshime për Konferencën e Rambujesë
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË, publicisti Veton Surroi dhe gazetari-aktivisti Blerim Shala kanë zbardhur detaje nga përgatitjet për Konferencën e Rambujesë, duke theksuar se lideri politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, ka vepruar nën presion të madh nga komandantët e zonave dhe se kjo ndikoi në dyshimet e tij ndaj konferencës
Surroi rrëfeu se gjatë diskutimeve për qeverinë e përkohshme, Thaçi ishte skeptik dhe vendosi të mos merrte pjesë në një takim kyç me zyrtarët amerikanë, përfshirë Madeleine Albright, James Dobbins dhe Richard Holbrooke. Surroi ka thënë se në atë moment u angazhua personalisht për të siguruar që dokumenti të pranohej dhe u nënshkrua nga pesë persona, duke përfshirë Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen, Thaçin, Surroin dhe Blerim Shalën.
Shala shtoi se presioni ka ardhur kryesisht nga përfaqësues lokalë të UÇK-së dhe spekulime të ndryshme që qarkullonin rreth marrëveshjes, duke e bërë Thaçin të dyshojë për suksesin e konferencës. Ai vlerësoi gjithashtu rolin e Madeleine Albrightit, e cila sipas tij ishte përkushtuar maksimalisht për të mos i lënë palët shqiptare vetëm dhe për të siguruar finalizimin e marrëveshjes.
“Mendoj që ka qenë në presion të madh (Thaçi)... prej UÇK-së, prej përfaqësuesve lokalë të UÇK-së, pastaj ka pasur spekulime të llojllojshme, të cilat e kemi ndi edhe unë edhe ti. Pastaj u dashke me i konsultu Hillin dhe ekipin e zonjës Albright, a janë të vërteta jo, se spekulimet e tilla që kjo është veç konferencë provizore, e cila me gjasë ka përhapë Adem Demaçi, ndoshta edhe dikush nga UÇK-ja, se kjo është konferencë provizore, amerikanët s’janë të interesuar të ketë sukses, duhet të ketë konferencë tjetër në Amerikë, dhe atje do të vendoset”, rrëfeu Shala.