Arrestimi i ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, sipas Prokurorisë, nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor. E keqardhje ka shprehur ambasada e Turqisë në Kosovë të hënën. Damka është kryetar i Partisë Demokratike të Turqve të Kosovës dhe është i dyshuar për sulm e kanosje ndaj dy personave, një nga ta, Arda Maloku nga partia Partia Inovative e Lëvizjes Turke.
Është arrestuar ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, nën dyshimin për sulm dhe kanosje ndaj dy personave të tjerë.
Damka është kryetar i Partisë Demokratike të Turqve të Kosovës e një nga viktimat e pretenduara është Arda Maloku nga partia Partia Inovative e Lëvizjes Turke (Yenilikçi Türk Hareket Partisi).
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të hënën se në sulm ishin të përfshirë tre persona, mirëpo vetëm dy prej tyre janë dërguar në ndalim për 48 orë, përfshirë ministrin Damka.
“Kemi vendosur që dy prej tyre të ndalohen për 48 orë, për shkak të dy veprave penale, sulm dhe kanosje serioze për jetë, për faktin se viktimat të cilat janë ankuar, kanë deklaruar se janë të rrezikuar ata dhe familjet e tyre. Por edhe në bazë të provave që kemi siguruar në vendin e ngjarjes, me atë shpejtësi që kemi mundur t’i sigurojmë natën e mbrëmshme, rezulton që kanë qenë të përfshirë disa persona, madje kjo ka ndodhur në prezencë të diku 20 personave të tjerë”, tha Kryeziu.
Kryeziu tha se rasti nuk ka të bëjë me ndonjë element që cenon procesin e votimit.
“Në realitet nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor, mund të ketë motive politike partiake por ajo që është e sigurt është që i dyshuari i parë, personi për të cilin interesoheni, ka edhe një rast të mëhershëm me të dëmtuarin e dytë, e në atë rast i kanë cilësitë e ndërruara”, tha ai.
Pas arrestimit të Damkës ka reaguar Ambasada e Turqisë në Kosovë. Në komunikatë, thuhet se ndien keqardhje për këtë arrestim.
“Kryetari i KDTP-së, partisë më të vjetër politike të Turqve të Kosovës që mori pjesë në zgjedhjet e djeshme në Kosovë, është arrestuar pas një mospajtimi. Në këtë periudhë të vështirë, ku po ndodhin shumë kriza në botë, stabiliteti i Kosovës vëllazërore dhe ruajtja e unitetit e maturisë së turqve të Kosovës kanë një rëndësi të madhe”, tha Ambasada e Turqisë në Kosovë.
Arrestimin e Damkës e kundërshtuan edhe nga partia e tij.
E kryetari i Partisë Inovative të Lëvizjes Turke (Yenilikçi Türk Hareket Partisi), Ertan Simitçi, u shpreh se Damka e sulmoi anëtaren e partisë së tij dhe një person tjetër që nuk ka të bëjë me ta.
“Disa kandidatë kanë qenë në afërsi të shkollës ‘Motrat Çiriazi’ ne gjatë ditës kemi bërë disa ankesa policisë që të marrë masa dhe të lirohen hapësirat, mirëpo policia nuk ka ndërmarrë masa konkrete. Pas orëve të fundit të procesit zgjedhor kandidatët tanë kanë qenë aty prezentë për të shikuar se si po shkon procesi dhe i dyshuari ka ardhur duke bërtitur kërcënuar, kanosur edhe zonjën Arda Maloku dhe ka pasur edhe një problem me një person tjetër që ka qenë rastësisht aty në park”, tha Simitçi.
Të martën në mëngjes do të mbahet seanca dëgjimore për këtë rast, ku Gjykata do të vendosë lidhur me masën e sigurisë ndaj dy të dyshuarve.
