Ministri në largim i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, është arrestuar të dielën në Prizren.

Damka dhe familjari i tij me inicialet F.D., janë arrestuar nën dyshimin për “sulm” dhe “kanosje”.

Rasti është konfirmuar nga Policia e Prizrenit, teksa ende nuk dihen motivet e kësaj ngjarje.

“Dje me datë 09.02.2025 rreth orës 18:00 në Prizren është raportuar një rast ‘Kanosje dhe Sulm’ , Policia ka intervistuar të dyshuarit F.D. dhe F.D dhe viktimat si dhe janë mbledhur edhe prova dhe dëshmi tjera”, ka thënë zëdhënësi Shaqir Bytyqi. 

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit dy të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.

Kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu, ka thënë për KOHËN se Damka ka sulmuar një kandidate nga Partia Turke e Lëvizjes Novatore, si dhe një tjetër person nga kjo parti.

"Sulm dhe kanosje ndaj saj dhe ndaj një personi të dytë, nga e njëjta parti me zonjën. Janë dy persona të ndaluar", ka thënë ai.

Prokuroria: Arrestimi i Fikrim Damkës s’ka të bëjë me procesin zgjedhor, reagon ambasada turke

1 muaj më parë / 10 shk 2025 19:25 Nga: Rrezon Gashi
Fikrim Damka

Është arrestuar ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, nën dyshimin për sulm dhe kanosje ndaj dy personave të tjerë. 

Damka është kryetar i Partisë Demokratike të Turqve të Kosovës e një nga viktimat e pretenduara është Arda Maloku nga partia Partia Inovative e Lëvizjes Turke (Yenilikçi Türk Hareket Partisi). 
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, tha të hënën se në sulm ishin të përfshirë tre persona, mirëpo vetëm dy prej tyre janë dërguar në ndalim për 48 orë, përfshirë ministrin Damka.

“Kemi vendosur që dy prej tyre të ndalohen për 48 orë, për shkak të dy veprave penale, sulm dhe kanosje serioze për jetë, për faktin se viktimat të cilat janë ankuar, kanë deklaruar se janë të rrezikuar ata dhe familjet e tyre. Por edhe në bazë të provave që kemi siguruar në vendin e ngjarjes, me atë shpejtësi që kemi mundur t’i sigurojmë natën e mbrëmshme, rezulton që kanë qenë të përfshirë disa persona, madje kjo ka ndodhur në prezencë të diku 20 personave të tjerë”, tha Kryeziu. 

Kryeziu tha se rasti nuk ka të bëjë me ndonjë element që cenon procesin e votimit.
 

“Në realitet nuk ka të bëjë me procesin zgjedhor, mund të ketë motive politike partiake por ajo që është e sigurt është që i dyshuari i parë, personi për të cilin interesoheni, ka edhe një rast të mëhershëm me të dëmtuarin e dytë, e në atë rast i kanë cilësitë e ndërruara”, tha ai. 
Pas arrestimit të Damkës ka reaguar Ambasada e Turqisë në Kosovë. Në komunikatë, thuhet se ndien keqardhje për këtë arrestim.

“Kryetari i KDTP-së, partisë më të vjetër politike të Turqve të Kosovës që mori pjesë në zgjedhjet e djeshme në Kosovë, është arrestuar pas një mospajtimi. Në këtë periudhë të vështirë, ku po ndodhin shumë kriza në botë, stabiliteti i Kosovës vëllazërore dhe ruajtja e unitetit e maturisë së turqve të Kosovës kanë një rëndësi të madhe”, tha Ambasada e Turqisë në Kosovë. 
Arrestimin e Damkës e kundërshtuan edhe nga partia e tij.

E kryetari i Partisë Inovative të Lëvizjes Turke (Yenilikçi Türk Hareket Partisi), Ertan Simitçi, u shpreh se Damka e sulmoi anëtaren e partisë së tij dhe një person tjetër që nuk ka të bëjë me ta.

“Disa kandidatë kanë qenë në afërsi të shkollës ‘Motrat Çiriazi’ ne gjatë ditës kemi bërë disa ankesa policisë që të marrë masa dhe të lirohen hapësirat, mirëpo policia nuk ka ndërmarrë masa konkrete. Pas orëve të fundit të procesit zgjedhor kandidatët tanë kanë qenë aty prezentë për të shikuar se si po shkon procesi dhe i dyshuari ka ardhur duke bërtitur kërcënuar, kanosur edhe zonjën Arda Maloku dhe ka pasur edhe një problem me një person tjetër që ka qenë rastësisht aty në park”, tha Simitçi. 

Të martën në mëngjes do të mbahet seanca dëgjimore për këtë rast, ku Gjykata do të vendosë lidhur me masën e sigurisë ndaj dy të dyshuarve.

Ambasada e Turqisë në Kosovë reagon pas arrestimit të Damkës

1 muaj më parë / 10 shk 2025 17:48
Fikrim Damka

Ambasada e Turqisë në Kosovë ka reaguar pas arrestimit të ministrit në largim për Zhvillim Rajonal, Fikrim Damka. 

Damka është arrestuar të dielën së bashku me një familjar të tij, nën dyshimin për “sulm” dhe “kanosje”. 

“Me keqardhje mësuam se Fikrim Damka, kryetari i KDTP-së, partisë më të vjetër të turqve të Kosovës, që mori pjesë në zgjedhjet e djeshme në Kosovë, është ndaluar...Në këtë periudhë të vështirë, kur në botë po përjetohen kriza të shumta, është e një rëndësie të madhe që motra Kosova ta ruajë stabilitetin e saj dhe turqit e Kosovës ta ruajnë unitetin dhe sensin e tyre të shëndoshë. Turqia do të vazhdojë të qëndrojë gjithmonë në krah të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Ambasadës së Turqisë.