Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, gjendet në arrest shtëpiak për 30 ditë pasi dyshohet për sulm e kanosje të kandidates, Arda Maloku.
Gent Gjini, avokat i Malokut, ka thënë se nga prokuroria do të kërkojnë ricilësim të veprës dhe që Damkës t’i ndalohet ushtrimi në detyra zyrtare.
“Ne do të kërkojmë nga Prokuroria e Shtetit ricilësim të veprës penale, të shkohet te një vepër konform peshës dhe rrethanave. Këtu bëhet fjalë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, sepse ministri ka shkuar aty si ministër e jo si qytetar. Ne do të kërkojmë edhe t’i ndalohet ushtrimi në funksione të administratës publike”, ka thënë ai në “Interaktiv”.
Gjini ka thënë se caktimi i masës së arrestit shtëpiak në vend të paraburgimit i ka indinjuar.
“Me lënien e tij në liri apo me një masë më të butë ai mund të ndikoj në rrjedhën e procedurën penale duke e ditur profilin e tij publik dhe përkrahjen e njerëzve që e ka. Vendosja e masës së arrestit shtëpiak na bën të shqetësuar”.
Gjini më tej ka folur rreth rastit dhe ka shtuar se në prokurori gjendet edhe video ku shihet momenti i sulmit.
“Fikrim Damka në zgjedhjet partiake të komunitetit turk është afruar kandidates nga një parti tjetër dhe me afrim e ka ngrehur zvarrë kandidaten dhe e ka ofenduar e kërcënuar me jetë. Klientja ime më ka treguar, çështja lidhet me zgjedhjet sepse dyshimet kanë qenë që po abuzohet me zgjedhje dhe vota të elektoratit të komunitetit turk. Por, ka qenë e papranueshme që në ministër të vjen në atë mënyrë dhe ta ofendojë e ta ngrehë zvarrë kandidaten”, u shpreh ai.