Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Osmani udhëton në SHBA, merr pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes

Donald Trump- Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar në shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes. 

Në njoftimin e Presidencës thuhet se Osmani ka udhëtuar në Washington pas ftesës që ka marrë nga presidenti amerikan Donald Trump për të marrë pjesë në këtë takim. 

Në njoftim thuhet se Osmani e ka vlerësuar përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, si vend anëtar dhe bashkëthemelues, si një nga zhvillimet më të rëndësishme të politikës së jashtme të vendit në vitet e fundit, duke theksuar se ky hap e fuqizon drejtpërdrejt subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

“Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar të punojë ngushtë me aleatin tonë kryesor, SHBA-të, dhe me Bordin e Paqes për të sjellë rezultate konkrete, për të mbështetur paqen dhe stabilitetin në rajonet e prekura nga konfliktet dhe për të promovuar një të ardhme të bazuar në bashkëpunim, siguri dhe prosperitet të përbashkët”, citohet të ketë thënë Osmani. 

Kjo do të jetë hera e parë që Bordi i Paqes mblidhet që prej ceremonisë së nënshkrimit për themelimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos muajin e shkuar. Rreth 20 shtete janë nënshkruar tashmë në Bordin e Paqes.

Nënshkrim në ceremoni pati dhënë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Edhe Osmani e Rama krah Trumpit në takimin e parë të Bordit të Paqes Arbëri Osmani e Rama krah Trumpit në takimin e parë të Bordit të Paqes

Bordi i Paqes është pritur me kritika për shkak të mandatit që ai përfaqëson dhe nëse është iniciativë që synon të zëvendësojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Shumica e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian nuk kanë pranuar të bashkohen e Izraeli ende nuk e ka nënshkruar zyrtarisht anëtarësimin në të.

Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës.

Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.