Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Kosova pranon ftesën e Trumpit për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes

Zhvillim të rëndësisë historike për Kosovën, e ka vlerësuar presidentja Vjosa Osmani, ftesën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes. Pjesëmarrja e Kosovës në këtë mekanizëm është mirëpritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj

Kosova ka pranuar ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për t’u bërë pjesë e Bordit të Paqes për Gazën. Ftesa është publikuar nga presidentja Vjosa Osmani, e cila e ka vlerësuar si zhvillim të rëndësisë historike për Kosovën. 

Bordi i Paqes është mekanizëm i themeluar nga presidenti amerikan, si pjesë e planit të tij për mobilizimin e burimeve ndërkombëtare për paqenë dhe zhvillimin në Gazë. 

“Në radhë të parë për shkak se kjo është një organizatë ndërkombëtare, pra është anëtarësim i Kosovës në një organizatë ndërkombëtare dhe atë si një ndër anëtarët themelues të kësaj organizate. Në radhë të dytë për shkak se kjo organizatë themelohet nga SHBA-ja, aleati ynë strategjik. Dhe në radhë të tretë për shkak se SHBA-ja ka përzgjedhur pikërisht Kosovën në mesin e disa shteteve që janë anëtare themeluese, duke pasur parasysh përvojën e Kosovës në shtetndërtim, në ndërtim të paqes, aleancave, përvojë kjo që do të mund të ndihmojë në ndërtimin e paqes edhe në vendet e tjera të botës”, ka deklaruar Osmani, në një prononcim për media, pas pjesëmarrjes në Akademinë përkujtimore për ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Sipas Osmanit, në ftesën për pjesëmarrje në këtë bord nuk është përmendur ndonjë pagesë e nevojshme. 

“Një gjë e tillë nuk është përmendur në dokumentacionin që na është dërguar. Ju e keni parë edhe vetë ftesën, por edhe në dokumentacionin përcjellës nuk përmendet çështja e ndonjë pagese. I lihet shteteve që këtë gjë ta bëjnë në mënyrë vullnetare”, ka thënë ajo. 

Pjesëmarrja e Kosovës është mirëpritur nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili po ashtu i është përgjigjur pozitivisht ftesës së presidentit Trump. Ai ka thënë se ftesa forcon marrëdhëniet e Amerikës me popullin shqiptar dhe jep një sinjal domethënës për sigurinë e përkatësinë e Kosovës në hapësirën e interesit të gjerë amerikan në botë.  

“Edhe njëherë urime dhe dua të besoj se faktorët politikë të Kosovës, do ta çmojnë këtë dorë të shtrirë nga presidenti i SHBA-së, si një gjest që nuk është aspak pa lidhje edhe me respektin për ty personalisht e për rolin tënd ndërkombëtarisht”, ka shkruar Rama në Twitter.

Edhe Osmani udhëton në SHBA, merr pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes Arbëri Osmani udhëton në SHBA, merr pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës në Bordin e Paqes përforcon rolin e saj si faktor konstruktiv të paqes në stabilitetin rajonal dhe global. 

“Pjesëmarrja e Kosovës dhe e Shqipërisë në Bordin e Paqes, si pjesëtare të një strukture ku marrin pjesë liderët e botës demokratike në përpjekje për ndërtimin dhe ruajtjen e paqes, nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Trump, është një dritare shprese për ne... Rikthimi i Kosovës si një partner i besueshëm dhe serioz i Shteteve të Bashkuara është jetik jo vetëm për garantimin e sigurisë kombëtare, por edhe për avancimin e interesave tona shtetërore, përfshirë integrimin euroatlantik, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të vendit”. 

Por, Kosovës në Bordin e Paqes nuk do t`iu bashkohen shtetet si Franca, Norvegjia e Suedia. Edhe pse përkrahin planin për paqe në Gazë, ato kanë shprehur shqetësimi se ky institucion synon të zëvendësojë Kombet e Bashkuara si vendtakimin kryesor për zgjidhjen e konflikteve.  Pjesë e Bordit të themeluar nga Trump nuk do të jetë as Italia, pasi konsiderohet se bashkimi me një grup të tillë të udhëhequr nga udhëheqësi i një vendi të vetëm do të shkelte kushtetutën. Argjentina, Armenia, Azerbajxhani, Bjellorusia, Egjipti, Hungaria, Kazakistan, Pakistani, Emiratet e Bashkuara Arabe e Vietnami, janë në mesin e shteteve të cilat kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë mekanizëm.