Arbëri

Kosova nënshkruan pjesëmarrjen në Bordin e Paqes të Trumpit

Donald Trump & Vjosa Osmani

Foto: Associated Press

Presidentja Vjosa Osmani ka nënshkruar pjesëmarrjen e Kosovës në Bordin e Paqes të presidentit amerikan Donald Trump në një ceremoni që është mbajtur të enjten në Davos të Zvicrës.

Para nënshkrimit, Osmani ia ka zgjatur dorën Trumpit dhe kanë biseduar për pak sekonda.

Nënshkrimin për të qenë pjesë e këtij Bordi sot e kanë dhënë vetëm 19 shtete. Argjentina, Armenia, Bullgaria, Bahrejni, Azerbajxhani, Hungaria, Indonezia, Jordania, Kazakistani, Katari, Kosova, Maroku, Pakistan, Paraguai, Arabia Saudite, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Uzbekistan dhe Mongolia janë vendet që kanë nënshkruar në ditën e themelimit të këtij bordi.

Donald Trump & Vjosa Osmani

Bordi i Paqes është organ i ri ndërkombëtar i iniciuar nga Trumpi, i cili synon mbikëqyrjen e zbatimit të planeve të paqes në zonat e konfliktit, me fokus fillestar në Rripin e Gazës. 

Sipas planit të paqes të Trumpit për Gazën, Bordi i Paqes përshkruhet si një “organ i ri ndërkombëtar tranzitor”, i cili do të ndihmojë në mbikëqyrjen e rindërtimit të enklavës palestineze. Anëtarët e këtij bordi pritet të jenë udhëheqës botërorë, me presidentin Trump në krye.

Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e ka mbështetur zyrtarisht krijimin e Bordit të Paqes përmes një rezolute të hartuar nga SHBA-ja në muajin nëntor, duke i dhënë këtij mekanizmi peshë dhe legjitimitet ndërkombëtar.

Sipas statutit të propozuar, Bordi i Paqes synon të “sigurojë paqe të qëndrueshme në zonat e prekura ose të kërcënuara nga konflikti”, jo vetëm në Gazë, duke bërë thirrje për krijimin e “një organi ndërkombëtar për ndërtimin e paqes më fleksibël dhe më efektiv”.

Lista e shteteve të ftuara përfshin edhe Shqipërinë, Rusinë dhe vende të tjera. Deri tash, Franca, Norvegjia, Britania e Italia kanë refuzuar pjesëmarrjen.

Disa shtete kanë shprehur skepticizëm, edhe për shkak të kostos financiare. Për të siguruar një vend të përhershëm në Bordin e Paqes, secili shtet do të duhej të paguante më shumë se një miliard dollarë brenda vitit të parë për financimin e funksionimit të këtij organi, ndonëse ekziston mundësia e anëtarësimit pa pagesë për një mandat trevjeçar.

Të gjitha lajmet nga ceremonia e themelimit të Bordit të Paqes